Raportohet për disa të gjetura të autopsisë së Jeffrey Epsteinit

  • 15 August 2019 - 11:04
Raportohet për disa të gjetura të autopsisë së Jeffrey Epsteinit

Autopsia e financierit, Jeffrey Epstein, që ka vdekur pasi ka bërë vetëvrasje, teksa ka qenë duke pritur procesin e gjykimit ndaj tij për akuza të trafikimit seksual, ka gjetur se qafa e tij ka qenë e thyer në disa pjesë, ka raportuar e përditshmja amerikane, Washington Post.

Sipas gazetës, plagët e gjetura iu ndodhin personave që varin veten. Gazeta ka cituar disa burime të paidentifikuara, që kanë qenë të afërta me rezultatet e autopsisë.

Epstein, multi-milioner, është gjetur i vdekur në një burg në Nju Jork të shtunën. Shkaqet e vdekjes së tij ende janë duke u hetuar.

Zyra për Inspektim Mjekësor në Nju Jork nuk ka ka komentuar për gazetën këto informacione për autopsinë.

Epstein, 66-vjeçar që dikur ka konsideruar presidentin amerikan, Donald Trump dhe ish-presidentin amerikan, Bill Klinton si miq, është gjetur pa ndjenja në burg ditën e shtunë.

Ai ishte deklaruar i pafajshëm në muajin korrik ndaj akuzave për trafikim seksual të disa vajzave në periudhën 2002-2005.

Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr ka thënë se hetimet për këtë rast do të vazhdojnë.

Përveç thirrjes për hetim të vdekjes së Epstein-it, ai ka urdhëruar edhe largimin e drejtorit të burgut.

Financieri amerikan është thënë të ketë tentuar edhe më herët të kryejë vetëvrasje, mirëpo më vonë është kthyer në dhomën e tij të burgut.

Sipas disa raportimeve në media, rojet nuk kanë përcjellur procedurat që do të duhej të ndiqeshin për të mos lënë financierin, tashmë të vdekur, të vetëm në burg për më shumë se tri orë.

(Kosova Sot Online)