Ngjarja që tronditi Istogun: E dhunoi për tri ditë e më pas e shiti për 50 euro

  • 15 August 2019 - 14:56
Ngjarja që tronditi Istogun: E dhunoi për tri ditë e më pas e shiti për 50 euro

Gjykata Themelore në Pejë,  Departamenti për Krime të Rënda, ka caktuar arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit Q.A për shkak të dyshimit të bazuar se e ka dhunuar seksualisht një grua dhe më pas e ka dërguar atë në Prizren tek një person tjetër i cili ka vazhduar ta dhunojë

Në një komunikatë të Gjykatës Themelore bëhet e ditur e tërë ngjarja.

“Gjatë muajve gusht – shtator 2012, në Banjë, Komuna Istog, në bashkëveprim me persona të tjerë ka trafikuar viktimën A.S, në atë mënyrë që pasi i pandehuri paraprakisht e strehon viktimën në katin e dytë të furrës së tij dhe kryen me viktimën marrëdhënie seksuale pa vullnetin e saj për tre ditë, pastaj e thërret një person tjetër i cili e merr viktimën me automjet dhe për këtë shërbim ia jep pesëdhjetë (50) euro, e i cili pastaj e dërgon viktimën në Prizren dhe kryen marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj’, theksohet në komunikatë. 

Gjykata bën të ditur se në këtë çështje juridiko penale, ka caktuar disa herë shqyrtim gjyqësor ku të bashkëpandehurit të tjerë kanë ardhur rregullisht, mirëpo i pandehuri Q.A nuk ka ardhur asnjëherë me arsyetim se i njëjti gjendet në botën e jashtme andaj, gjykata për të njëjtin ka lëshuar urdhëresë për sjelljen e tij në gjykatë, pastaj ka lëshuar letër rreshtim vendor, si dhe letër rreshtim ndërkombëtar, me ç ‘rast me datë 14.08.2019, i njëjti nga pjesëtarët e Stacionit Policor në Pejë është sjellë në gjykatë sipas letër rreshtimit ndërkombëtar dhe ndaj tij është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

(Kosova Sot Online)