Paralajmërohet grevë, në Aeroportin e Prishtinës thonë se fluturimet do të realizohen

  • 15 August 2019 - 15:51
Paralajmërohet grevë, në Aeroportin e Prishtinës thonë se fluturimet do të realizohen

Aeroportit ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” është deklaruar rreth fluturimeve nga Kosova nëpër shtete të ndryshme.

“Dëshirojmë t’i njoftojmë te gjithë udhëtaret që kanë planifikuar të udhëtojnë përmes AN të Prishtinës “Adem Jashari” se te gjitha fluturimet e planifikuara më 19, 20 dhe 21 gusht do te realizohen në kohë”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, punëtorët e AN ‘Adem Jashari’ kanë vendosur që të hyjnë në grevë më 19, 20 dhe 21 gusht.

Me një njoftim shtypi Sindikata e aeroportit ‘Adem Jashari’ thotë se pas shumë përpjekjeve për të dialoguar me menaxhmentin rreth kërkesave të tyre, këta të fundit nuk kanë treguar gatishmëri për dialog.

“Ju njoftojmë se pas shumë përpjekjeve dhe  kërkesave të shumta drejtuar menaxhmentit të aeroportit për të dialoguar dhe për t’i zgjidhur çështjet tona, në mënyrë paqësore, deri tashti nuk kemi pranuar ndonjë ftesë apo gatishmëri nga menaxhmenti për të dialoguar. Ne kemi shterrur të gjitha mënyrat dhe mundësitë paqësore për dialogun. Punëtorët janë të vendosur në kërkesat e tyre për çka edhe kanë vendosur nëpërmjet delegateve të tyre të shkojnë në grevë, siç kemi paralajmëruar në protestën paqësore të mbajtur javën e kaluar më 08.08.2019 se  më 19.08.2019 do të kemi grevë njëorëshe, duke filluar prej orës 08.00h deri në orën 09.00h sipas kohës lokale dhe më 20.08.2019 grevë dyorëshe, duke filluar prej orës 08.00h deri në orën 10.00h si edhe më 21 do mbajmë grevë gjithëditore”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)