Analisti i njohur nga SHBA, shpërthen me akuza të rënda për të ‘fortit’ e Kosovës

  • 16 August 2019 - 07:37
Analisti i njohur nga SHBA, shpërthen me akuza të rënda për të ‘fortit’ e Kosovës

“Flasin për zbutjen e papunësisë, duke e thelluar edhe më shumë krizën ekonomike e sociale, për të siguruar për vete dhe klientelat e tyre kriminale, nga 7 e 8 vende pune. Thjeshtë, Kosova aktualisht udhëhiqet nga mendësia e hajdutit, mashtruesit, kriminelit dhe maniakët seksualë, të cilët i sollën çdo të zezë këtij vendi e këtij populli”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Analisti politik nga Amerika, Ramiz Bojaj duke përcjell raportet e organizatave që mbikëqyrin zbatimin e ligjit në Kosovë, si vendore ashtu edhe në ato ndërkombëtare, në të cilat vazhdimisht theksohen dështimet e plota, thotë se në Kosovë funksionon vetëm ligji i xhunglës.

Image

Këtë fakt, Bojaj e mbështetë edhe duke u bazuar në raportin e AKK-së që flet për favorizimet e politikës në punësimin e militantëve, të cilët mbajnë edhe deri në 8 pozita.

“Edhe pse ne kemi ligje e Kushtetutë, të cilën duhet respektuar çdo qytetar i Republikës së Kosovës, kjo nuk vlen asgjë kur vijnë në shprehje njerëzit e pushtetit, të cilët në vend të respektimit të ligjeve juridike, kanë aplikuar zbatimin e 'ligjit të xhunglës', duke shpërfillur të gjitha normat juridike e ligjore në vend. Oligarkët e pushtetit, flasin për rregulla e ligje, duke i shkelur ato në mënyrën më të paskrupullt”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

 

Të tillët, sipas Bojajt flasin për mirëqenie qytetare, përderisa në çdo vend e kohë, vjedhin, mashtrojnë, zhvatin duke vrarë shpresat e rinisë dhe popullit për një jetë më të mirë.

“Flasin për zbutjen e papunësisë, duke e thelluar edhe më shumë krizën ekonomike e sociale, për të siguruar për vete dhe klientelat e tyre kriminale, nga 7 e 8 vende pune. Thjeshtë, Kosova aktualisht udhëhiqet nga mendësia e hajdutit, mashtruesit, kriminelit dhe maniakët seksualë, të cilët i sollën çdo të zezë këtij vendi e këtij populli. Nuk është rastësi, kur hajdutët e trafikantët e kapur kohëve të fundit të jenë bijtë e shefave të policisë, bijtë e policëve, politikanëve etj, alias bosët e krimit të nëntokës në Kosovë”, shtoi Ramiz Bojaj për “Kosova Sot Online.”

Sipas tij kjo tregon se në cilën shkallë jemi si vend dhe përse nuk respektohemi si një shtet kredibil, prandaj edhe është bllokuar liberalizimi i vizave .

“Si mund të na sjellin liberalizim vizash e prosperitet, pushtetarët mangupë? Në raportin e fundit të Bankës Botërore dhe Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare në hulumtimin e tyre thuhet se: “Trendët e Tregut të Punës në Ballkanin Perëndimor 2019" -vlerësohet se shkalla e papunësisë në Kosovë është 29-30 për qind. Por, nëse marrim parasysh shifrën e punësimit të të rinjve, sidomos në lëmit profesionale të kualifikuara, ky numër mund të shkojë deri në 40 %. Kjo ndodhë në kohën kur kemi zyrtarë publikë me 7-8 vende pune, pastaj kemi nepotizëm e militantizëm primitiv në të gjitha shkallët e pushtetit, qe nga administrata e gjer në Qeveri e Presidencë”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Andaj sipas tij, e kemi ikjen e pakontrolluar të gjeneratës së re.

Ndryshe Bojaj shton se edhe pse në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, thuhet se gjatë kohës së ushtrimit të funksionit publik, zyrtari duhet të veprojë në mbrojtje të interesit publik i cili nuk ka të drejtë që interesin privat ta vë para atij publik ky ligj nuk po zbatohet.

“Sa vlen ky ligj për oligarkët mafiozë të pushtetit kriminal. Ne kemi udhëheqës të lartë të shtetit më të paguar në rajon, përderisa kemi numrin më të madh të papunësisë e të varfërisë. Kështu ndodh kur shteti udhëhiqet nga cubat analfabetë e mafiozë të bashkuar me pseudo intelektualë servilë, të pafytyrë e hajna. Huliganët e pushtetit kanë mbushur sektorët publikë me militantë partiakë, të cilët, bëhen manipuluesit e Ushtarët” më të egër të votave për bosët e krimit, prandaj qytetarët duhet të dëshmojnë vendosmëri e përgjegjësi në votimet e reja, e tu bëjnë me dije cubave grabitqarë se Kosova është pronë e qytetarëve e jo e një grushti hajnash të egër e mashtrues ordinerë”, përfundoi Bojaj për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)