Ambasadori britanik zbulon mashtrimet e mëdha ndaj kosovarëve

  • 16 August 2019 - 13:01
Ambasadori britanik zbulon mashtrimet e mëdha ndaj kosovarëve

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi nuk e ka parë me shumë befasi të madhe reagimin e ambasadorit në largim të Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, i cili e ka demantuar një njoftim të rrejshëm të lëshuar nga Ministrja e Integrimeve Dhurata Hoxha për kinse temat që janë diskutuar ditën e mërkurë. 

Muhamet Kelmendi thotë se ky është një rast i veçantë kur falë vullnetit të mirë të ambasadorit britanik, e vërteta doli në shesh, ngase në shumicën e rasteve qytetarët e Kosovës po keq informohen dhe po dezinformohen qëllimisht për agjendat e rëndësishme të takimeve, të cilat po i zhvillojnë me ndërkombëtarët.

Image

“Qytetarët e Kosovës janë mësuar me keq informimet që i bëjnë qeveritarët e Kosovës nga të gjitha nivelet. Deklarata për publik e bërë nga ministrja Hoxha pas takimit lamtumirës me ambasadorin O'Connel është vazhdim i keqpërdorimeve të takimeve dhe çështjeve që diskutohen. Kjo tregon se ministrja Hoxha nuk ka moral politik dhe as përgjegjësi politike e juridike të kundruall pozitës që i është besuar ta ushtron e aq më pak kundruall ambasadorit O'Connell”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kelmendit, në reagimin e ambasadorit theksohen me forcë dhe shumë qartë temat që janë diskutuar, por të cilat me sa duket nuk i pëlqejnë ministres, pasi ia nxjerrin në shesh dështimet e gjithë sistemit të drejtësisë, e që për pasojë të tyre nuk kemi liberalizim vizash të cilin e ka premtuar sikur me betim ministrja Hoxha. 

Kelmendi thotë se ambasadori ka bërë një shërbim të mirë për qytetarët, ndonëse tani edhe ata instinktivisht kanë krijuar bindjen se qeveritarët nuk po i tregojnë të vërtetët se po mashtrojnë vazhdimisht. 

“Kryesisht i tha që është diskutuar krimi dhe korrupsioni. Por, edhe sikurse mos të kishim këtë reagim me vend të ambasadorit, qytetarët e dinë mirë qëndrimin e ambasadorit O'Connel. Gjatë tërë kohës së shërbimit të tij në Kosovë është përpjekur për ndihmë dhe këshilla në luftën për ndërtimin e shtetit ligjor, me një prokurori dhe me sistem gjyqësor të ndërtuar vetëm në baza ligjore, me njerëz të pa korruptuar dhe pa krim. Me qindra herë ka deklaruar se Kosovës i duhet një luftë më ashpër kundër krimit dhe korrupsionit në nivel të lartë, të politikanëve. Ambasadori O'Connel ka qenë i angazhuar vazhdimisht për spastrimin e sistemit politik dhe juridik nga krimi”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kelmendit, fshehja e kësaj të vërtete nga Dhurata Hoxha, tregon më së miri gjendjen që mbretëron edhe në këtë subjekt politik nga vjen ministrja Hoxha, e që zotohet kinse për shtet të së drejtës. 

“Manovrimi i Ministres Hoxha me devijim dhe shtrembërim nga qëndrimet e temat e bisedimet në takim është vetëm një hap edhe më tej në drejtim të figurës së politikës që e kemi në këtë subjekt politik dhe në vend. Thjeshtë kjo tregon mungesën e plotë të moralit, krimin , nepotizmin dhe anomalit e politikanëve tonë që janë baza kryesore e lidhjes me korrupsionin. Deklarimet politike tani me këso devijimesh janë edhe nja vazhdim i shkapërderdhjes politike të qeveritarëve në skenën politike”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)