Tahiri në vetën e parë : “Dje kam ekstraduar një person të kërkuar nga Gjermania”

  • 16 August 2019 - 13:46
Tahiri në vetën e parë : “Dje kam ekstraduar një person të kërkuar nga Gjermania”

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka deklaruar se është realizuar suksesshëm ekstradimi i një personi të dyshuar për vrasje të rëndë në Gjermani. Ajo që bie në sy është formulimi interesant që është bërë në deklaratën e Ministrisë së Drejtësisë ku Tahiri citohet në vetën e parë duke thënë se “dje e kam ekstraduar” një person të kërkuar nga Gjermania.

 “Dje kam ekstraduar një person të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritet gjermane, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka thënë se prej që është bërë Ministër ka eliminuar zbrazëtirat ligjore që të dyshuarit për vepra penale i kanë shfrytëzuar për t’i ikur drejtësisë.

“Me të marrë mandatin si Ministër i Drejtësisë jam kujdesur që t’i eliminojmë menjëherë zbrazëtirat ligjore dhe të shfaqim përkushtim për të vendosur para përgjegjësisë secilin person të dyshuar. Kemi arritur kështu ta bëjmë Kosovën vend të pasigurt për kriminelet dhe vend model për regjionin në luftimin e krimit transnacional”, ka thënë Ministri.

Tahiri është shprehur se vetëm në vitin 2019 kanë ekstraduar 18 persona nga Kosova për në shtetet tjera.

“Falë punës që kemi bërë si Ministri në rrafshin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, vetëm këtë vit kemi arritur të realizojmë 18 ekstradime nga Kosova për në shtetet tjera”, ka thënë Tahiri.

Ministri i Drejtësisë ka deklaruar se nuk do të lejoj që Kosova të jetë strehë e kriminelëve.

(Kosova Sot Online)