Denoncim i rëndë për politikanët kosovarë: Këta e kanë vendin në burg, jo në krye të shtetit

  • 16 August 2019 - 15:21
Denoncim i rëndë për politikanët kosovarë: Këta e kanë vendin në burg, jo në krye të shtetit

“Partitë që e kanë shijuar pushtetin, nuk kanë më se me çfarë ta gënjejnë popullin. Të njëjtit që kanë instaluar korrupsionin në çdo pore të shtetit, po zotohen që do ta luftojnë deri në ç’rrënjosje”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Analisti politik, Faik Krasniqi duke përcjellë trendin e debateve dhe ofertave që po përgatisin partitë politike për votuesin në zgjedhjet që na presin këtë vjeshtë, konsideron se do të kemi një fushatë tepër të varfër, me premtime krejtësisht të përsëritura që nuk janë realizuar, pasi të gjitha partitë tani më janë shterur me premtimet e tyre të kota e pa programe të reja të besueshme e të zbatueshme që sjellin ndryshime reale në zhvillimin e shtetit përpara.

Image

“Kështu që kjo varfëri në projekte dhe programe të zbatueshme, akoma më shumë po e zhgënjen qytetarin. Partitë që e kanë shijuar pushtetin, nuk kanë me se me çfarë ta gënjejnë popullin. Të njëjtit që kanë instaluar korrupsionin në çdo pore të shtetit, po zotohen që do ta luftojnë deri në ç’rrënjosje”, tha Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.Krasniqi konsideron se vetë fakti që të gjitha këto parti politike e kanë shijuar pushtetin, dhe kanë dështuar në realizimin e atyre programeve që i kanë paraqitur para se të marrin pushtet, nuk kanë çfarë të japin e shpikin tjetër, veç saj që nuk e kanë realizuar.

Duke parë se gjithçka që tani në këto zgjedhje po përsëritet nga e kaluara, Krasniqi thotë se populli edhe më shumë po humbë besimin, prandaj do të duhej që këto zgjedhje të sjellin ndryshime të mëdha në rirreshtimin e politikës, pasi me këta që mashtruan për 20 vite shteti nuk ecën përpara.

“Po zotohen për çështje të njëjta si liberalizimi i vizave, zhvillim ekonomik, hapje të vendeve të reja të punës etj. Por, populli nuk u beson më, sepse edhe ky popull e ka kuptuar më në fund që këta janë e keqja e këtij vendi. Me kriminelë, hajna e banditë vendi nuk mund të ecë përpara. Këta bastardë e kanë vendin në burg, dhe jo në krye te shtetit”, tha Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)