Paqja e Rahovecit – pas përplasjeve për territore Thaçi e Haradinaj i cakërrojnë gotat

  • 16 August 2019 - 15:56
Paqja e Rahovecit – pas përplasjeve për territore Thaçi e Haradinaj i cakërrojnë gotat

Vera e rakia në Rahovec i ka bërë bashkë kryeministrin Ramush Haradinaj me Presidentin Hashim Thaci, të cilët muajt e fundit kanë përkeqësuar raportet mes vete. Aty ka qenë edhe presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, që po ashtu s’ka pasur marrëdhënie të mira me presidentin Thaci për shkak të lobimit të tij për ndryshim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në kolazhin e fotografive nga Rahoveci, ku po mbahet festivali i rrushit, shihen bashkë tre liderët shqiptarë.

Kryeministri Haradinaj postimin në Facebook ia ka dedikuar krejtësisht rrushit, duke thënë se i mbështet fermerët dhe afaristët e Rahovecit.

“Mesazhi im për qytetarët e Rahovecit në Hapjen e HardhFestit. Në mbështetje 100% të vreshtarëve, fermerëve dhe afaristëve të Rahovecit! Do të vazhdojmë me lehtësira tatimore dhe me politika fiskale në mbështetje të prodhimit vendor. Gjithmonë në krah të rahovecjanëve për një jetë më të mirë e më të dinjitetshme. Të përcaktuar 100% edhe në luftën kundër korrupsionit, krimit e nepotizmit, por të vendosur poashtu që në luftimin e këtyre dukurive, të jemi të sinqertë deri në fund!”, ka shkruar Haradinaj.

(Kosova Sot Online)