Vrasja e 9-vjeçarit në Fushë Kosovë: Nisin hetimet ndaj dy prokurorëve

  • 16 August 2019 - 16:35
Vrasja e 9-vjeçarit në Fushë Kosovë: Nisin hetimet ndaj dy prokurorëve

Dy prokurorë janë vënë në llupën e organeve të hetuesisë kosovare me arsyetimin se të njëjtit mund të kenë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare. Bëhet fjalë për neglizhencë në punë për një rast ku një fëmijë 9-vjeçar, K.Veseli nga Fushë Kosova ka vdekur. Këtë rast janë duke e hetuar pesë prokurorë të në dy panele të ndara. Media merr vesh se prokurorët që po hetohen janë Ruhan Salihu e Raze Loshaj. Të dy këta kanë refuzuar që të deklarohen për Gazetën.

Kanë kaluar më shumë se një muaj kur në mënyrë të rëndë u vra K.Veseli 9-vjeçar nga komuna e Fushës Kosovës. Vrasja e të miturit u konsiderua si ndër më të rëndat që kanë ndodhur në Kosovë. Ai dyshohet se u dhunua, e pastaj u godit me mjete të forta nga një 19-vjeçar, po ashtu nga Fushë Kosova.

Por, para se të vritej, 9-vjeçari, ishte dhunuar seksualisht tri herë nga i dyshuari për vrasje. Në dy rastet e dhunimit, Veseli bashkë me nenën t tij, Makfiren, rastin e kishin raportuar në polici. Por asgjë nuk ishte bërë për dhunuesin (S.Osmani 19-vjecar i cili tashmë gjendet në burg).

Policia ishte mjaftuar me një kallëzim penal ndaj 19-vjeçarit i cili ishte ngritur në prillin e këtij viti. Por, viktima, K.Veseli 9-vjeçar, u vra pikërisht nga Osmani ndaj të cilit ishte ngritur kallëzim por që po shëtitej i lirë në Fushë Kosovë. 

Duke i parë të gjitha këto rrethana, hetime për rastin se si është trajtuar nga ana e institucioneve hetimore, përveç Inspektoriatit Policor, tashmë ka nisur edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Për këtë rast, sipas burimeve, po hetohen dy prokurorë. Bëhet fjalë për prokurorin Ruhan Salihu e prokuroren Raze Loshaj.

 Të dy këta janë duke u hetuar për veprimet që i kanë ndërmarrë për këtë rast.

 Janë pesë prokurorë të Kosovës të cilët po mbledhin fakte rreth mënyrës se si Loshaj e Salihu janë marrë me rastin.

Mirëpo, nga ana e Këshillit Prokuorial të Kosovës nuk kanë dhënë detaje rreth emrave të këtyre dy prokurorëve. Por kryetari i këtij Këshilli, Bahri Hyseni, ia konfirmoi gazetës se janë formuar panelet për ta hetuar nëse ka pasur neglizhencë për këtë rast.

“Janë formuar komisionet hetimore. Hetimet do të marrin kohë. Ndoshta më shumë se dy muaj.  Janë duke u mbledhur të gjitha informacionet se si është trajtuar ky rast.

E ndërkohë, Gazeta i ka kontaktuar të dy prokurorët, Saliun e Loshajn. Por asnjëri nga ta nuk kanë dashur që të prononcohen për gazetën edhe pse janë pyetur për rastin.

“Nuk dua të deklarohem. Thirreni zëdhënësin”, i tha Salihu gazetës. Ndërkohë Loshaj, tha se është në një gjykim dhe se nuk mund të flas për rastin.

“Jam në gjykim. Nuk kam aspak të bëjë me këtë rast”, ka deklaruar shkurt Loshaj duke mos dashur që t’u përgjigjet pyetjeve të gazetës.

E ndërkohë, hetime për këtë rast përveç Inspektoratit Policor e Këshillit Prokurorial ka nisur edhe zyra e Avokatit të Popullit.

 “Inspektorati Policor i Kosovës me të pranuar informacionin lidhur me rastin e vdekjes së dyshimtë të të miturit nga Fushë Kosova, menjëherë ka filluar grumbullimin, shqyrtimin dhe verifikimin e informacioneve lidhur me këtë rast. Varësisht nga gjetjet, IPK-ja do të ndërmarrë veprime bazuar në mandatin e saj”, kanë deklaruar kohë më parë, zyrtarë të Inspektoratit Policor të Kosovës.

K.V., i mituri nga Fushë Kosova, u gjet i vrarë para një banese më 11 korrik. Sipas familjes së tij, ai ishte dhunuar vazhdimisht nga S.O., i dyshuar që po mbahet në paraburgim nën dyshimin se ka kryer veprën penale: vrasje e rëndë.

(Kosova Sot Online)