IPK thotë se e ka punë hetimin e policëve, por e amniston Shpend Maxhunin për gylenistët

  • 16 August 2019 - 16:53
IPK thotë se e ka punë hetimin e policëve, por e amniston Shpend Maxhunin për gylenistët

Inspektorati Policor i Kosovës, përmes një komunikate për media, një ditë pasi që u bë e ditur se kanë dërguar kallëzim penal për 22 policë në Prokurorinë Speciale, kanë thënë se kanë vepruar në kuadër të objektit të veprimtarisë, në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit. Derisa treguan se kujt ia kanë dorëzuar raportet që kanë hartuar për këtë rast, nuk bëhet e ditur se pse po amnistohet nga këto kallëzime penale, kreu i atëhershëm i policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni që ka qenë në dijeni për operacionin e nën urdhërat e të cilit kanë kryer detyrat policët.

IPK ka bërë me dije se inspektimi për të vlerësuar rastin e dëbimit të gylenistëve është bërë me kërkesë të Kryeministrit Ramush Haradinaj dhe është autorizuar nga Kryeshefja e inspektoratit.

Por, ky inspektim nuk ka përshirë kreun e policisë Shpend Maxhunin, i cili më vonë u emëruar nga Presidenti Shefi i AKI’së.

“Objekt i veprimtarisë së IPK-së është parandalimi, zbulimi, dokumentimi dhe hetimi i veprave penale të kryera nga punonjësit e Policisë së Kosovës, pa dallim grade dhe pozite gjatë ushtrimit së detyrës ose jashtë saj dhe inspektimi i strukturave dhe funksioneve të Policisë së Kosovës për të siguruar llogaridhënie, efektivitet dhe efikasitet në zbatueshmërinë e ligjeve, akteve nënligjore dhe procedurave standarde të operimit në fuqi;

Edhe në rastet e fundit (rasti rekomandimit për suspendim për gjashtë zyrtarë policorë në Gjakovë dhe  dorëzimi i kallëzimit penal për 22 zyrtarë policorë për rastin e quajtur “Gylenistët”) IPK ka realizuar misionin e vet ligjor në kuadër të objektit të veprimtarisë duke qenë në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit në të gjitha rastet e hetimeve penale”, shkruhet në reagim.

Tutje, sa i përket suspendimit të gjashtë zyrtarë policor në Gjakovë, përfshirë këtu edhe komandantin e stacionit, IPK po thotë se ka pranuar disa informacione nga avokati i Popullit, që thonin se në atë rast janë tejkaluar autorizimet policore, respektivisht, është keqtrajtuar një i arrestuar.

“Hetuesit e IPK-së kanë ndërmarrë veprime hetimore në konsultim me prokurorin kompetent duke siguruar dëshmi (edhe video-incizime përveç tjerash) për keqtrajtimin e një të arrestuari në objektin e stacionit policor nga gjashtë zyrtarë policorë (tashmë të suspenduar)”, shkruhet derisa bëhet e ditur se asnjë nga zyrtarët e supenduar nuk kanë marrë pjesë në   operacionin arrestimit të këtij të dyshuari.

Në anën tjetër, sa i përket rastit të deportimit të gjashtë shtetasve turq, po thotë se është realizuar një inspektim i jashtëzakonshëm.

“Në Mars të vitit 2018, Kryeministri i Republikës së Kosovës Z. Ramush Haradinaj ka kërkuar fillimin e inspektimit  për të vlerësuar kryerjen e detyrave nga Policia e Kosovës gjatë largimit me forcë të gjashtë shtetasve turq nga territori i Republikës së Kosovës. Ky inspektim i jashtëzakonshëm është autorizuar nga Kryeshefja Ekzkeutive e IPK-së dhe Departamenti i Inspektimit ka inspektuar, analizuar dhe vlerësuar performancën e strukturës policore lidhur me ngjarjen. Inspektimi ka pasqyruar  se janë evidentuar disa shkelje procedurale dhe mangësi gjatë realizimit të këtij operacioni nga policia dhe lidhur me ketë IPK ka nxjerrë një varg rekomandimesh”, thuhet tutje.

Gjithashtu, bëhet e ditur se raporti i inspektimit që përmban 10 rekomandime i është dorëzuar kryeministrit të Kosovës,  Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës si dhe një kopje Prokurorisë së Shtetit.

“Pas kësaj, lidhur me këtë rast, hetuesit e IPK-së me autorizim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës kanë ndërmarrë veprime hetimore dhe pas këtyre veprimeve kanë dorëzuar edhe kallëzim penal ndaj 22 zyrtarëve të Policisë së Kosovës me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale të “Privimit të kundërligjshëm nga liria “ dhe “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimeve”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke vazhduar hetimet lidhur me këtë rast si dhe intervistimin e të pandehurve”, thuhet tutje.

(Kosova Sot Online)