Amerikanët i bashkohen britanikëve, tërhiqen nga bordi i AKKVP për shkak të Naser Shalës

  • 16 August 2019 - 17:26
Amerikanët i bashkohen britanikëve, tërhiqen nga bordi i AKKVP për shkak të Naser Shalës

Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës larguar nga Bordi i Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës për shkak se në krye të saj është zgjedhur para disa muajve Naser Shala, ish-komandant i UÇK’së të cilin ambasadat e huaja e konsiderojnë si të pakualifikuar.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka bërë të ditur se sot është larguar nga Bordi i AKKVP, duke kujtuar një postim që ambasada e tij e kishte bërë ditën kur Shala u zgjodh në krye të këtij bordi.

“SHBA ka dhënë dorëheqje nga Bordi i Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës, sikurse Britania e Madhe ka bërë më parë. Nuk do të vazhdojmë të jemi pjesëmarrës kur udhëheqja e saj u shërben interesave personale dhe politike më shumë se sa njerëzve. Përzgjedhja e e të njohurve të pakualifikuar në pozita qeverisës e lëndon imazhin e Kosovës dhe e tradhton besimin e publikut”, ka shkruar Kosnett në Twitter.

Më herët ambasadori ka kërkuar që të pakualifikuarit dhe  ata që marrin pozita përmes nepotizmit dhe klientelizmit të largohen nga institucionet.

Një javë më parë Kosnett i kërkoi Shalës publikisht që të japë dorëheqje nga pozita që ka marrë muaj më parë. 

(Kosova Sot Online)