Haradinaj i reagon Kryeministres serbe: Pretendimet territoriale e kanë bllokuar dialogun, jo taksa

  • 16 gusht 2019 - 17:56
Haradinaj i reagon Kryeministres serbe: Pretendimet territoriale e kanë bllokuar dialogun, jo taksa

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj i është kundërpërgjigjur homologes së tij serbe, Ana Bërnabiq, e cila tha se Serbia nuk e njeh Kosovën me kufijtë ekzistues sepse nuk mund të pranojë të humb gjithçka.

Haradinaj thotë se janë pikërisht pretendimet territoriale të Serbisë që e kanë bllokuar dialogun mes dy shteteve, e jo taksa 100 për qind që Qeveria e Kosovës i ka vënë produkteve serbe.

“Pretendimet territoriale, e jo taksa, e kanë bllokuar dialogun! Njohja e Kosovës në kufijtë ekzistues është vijë e kuqe mbi të cilën Serbia nuk do të kalojë, paska thënë Kryeministrja e Sërbisë, Ana Bërnabiq”, ka shkruar kryeministri në Facebook.

“A po e shihni se Taksa nuk e ka bllokuar diaogun, por aspiratat territoriale të Serbisë ndaj Kosovës! E po Kosova është shtet sovran me këta kufinj, ndërkombëtarisht të njohur dhe të pandryshueshëm, dhe sa më parë ta kuptojë ketë fakt lidershipi në Serbi, është më mirë për ta!”, thuhet më tej në postimin e tij.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, ka bërë të qartë pse ndryshimi i kufijve me Kosovën është i rëndësishëm. Ajo thotë se Serbia nuk e njeh Kosovën me kufijtë ekzistues dhe se nuk mund të lejojnë që Beogradi të humbë gjithçka.

Njohja e Kosovës në kufijtë ekzistues është vijë e kuqe mbi të cilën Serbia nuk do të kalojë, ka thënë kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq.

“Serbia nuk do të lejojë që Prishtina t’i fitojë të gjitha e Beogradi të humbë gjithçka. Në këtë moment duhet ta shohim se sa më së shumti mund të fitojmë, e sa më pak të humbim dhe të jemi racional dhe real në këtë pikë. Por, që Serbia të humb gjithçka e Prishtina të fitojë të gjitha, kjo është e papranueshme, dhe nuk është zgjidhje e drejtë”, tha ajo për “Tanjug.

(Kosova Sot Online)