Vetëvendosjes i shtohet edhe një anëtar

  • 16 August 2019 - 20:14
Vetëvendosjes i shtohet edhe një anëtar

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se Sabri Kiçmari, ish-ambasadori i Kosovës në Austri, Australi e Zelandë të Re, i është bashkuar partisë së tij.

Kurti e cilësoi Kiçmarin si njëri ndër ambasadorët më të dalluar të Kosovës, si autor i pesë librave dhe shumë artikuj nëpër revista të ndryshme shkencore.

Kurti e konsideron aderimin e tij si një forcë e shtuar e partisë duke qenë i bindur për fitore në zgjedhjet e ardhshme.

Shkrimi i plotë:

Sabri Kiçmari ka qenë gjithnjë në Lëvizje. Prej sot është edhe në VETËVENDOSJE!. Ky është lajm shumë i mirë për subjektin tonë, shtetin tonë dhe kombin tonë. Për më shumë se një dekadë veprimtar i çështjes kombëtare para se të bëhet përfaqësues politik i UÇK-së. Edhe plot një dekadë tjetër diplomat i dalluar i Republikës së Kosovës, ambasador në Austri, Australi e Zelandë të Re. Ndërkohë autor i pesë librave, dy prej tyre në gjermanisht, dhe i një dyzine artikujsh nëpër revista të ndryshme shkencore.

Sabri Kiçmari është profesor në Departamentin e Sociologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Studimet bazë (Grundstudium) i ka mbaruar në Universitetin e Ruhrit në Bochum (Gjermani), Magjistraturën (Magister Artium) në Fakultetin Filozofik të Universitetit Rheinische Friedrich-Ëilhelm në Bon (Gjermani), kurse Disertacionin (Ph.D.) në Institutin për Shkencë Politike dhe Sociologji po ashtu të Universitetit Rheinische Friedrich-Ëilhelm në Bon. Është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, sidomos në Gjermani dhe Austri.

Sabriu është me prejardhje nga Llapi, shkollimin fillor e ka mbaruar në Lladoc, Sfeçël, Podujevë dhe Llapashticë, ndërkaq shkollimin e mesëm në Podujevë dhe Prishtinë.

Sot jemi forcuar dukshëm.

Nesër do të fitojmë bindshëm. Sepse pasnesër do të qeverisim mirë.

(Kosova Sot Online)