Haradinaj dhe ministri i tij ia vazhdojnë në heshtje Devollit monopolin e homologimit

  • 17 August 2019 - 09:29
Haradinaj dhe ministri i tij ia vazhdojnë në heshtje Devollit monopolin e homologimit

Me gjithë që kontrata ekskluzive në mes të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, tash Ministria e Infrastrukturës dhe kompanisë “Eurolab” për procesin homologimit të automjeteve ka skaduar më 1 korrik, kjo kompani do të vazhdojë të veprojë si e vetme dhe pa konkurrencë në këtë fushë.

Kjo për faktin që Ministria e udhëhequr nga Pal Lekaj, i AAK-së, nëpërmjet Udhëzimit Administrativ për përcaktimin e kushteve dhe procedurave për homologim të mjeteve rrugore, të nënshkruar po nga Lekaj, në prill të këtij viti, pamundëson hapjen e tregut në këtë fushë.

Ministri Lekaj nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të shfuqizuar udhëzimin edhe pas kërkesave të vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar për ta bërë një gjë të tillë, e as pas rezolutës së miratuar në Kuvend me një korrik të këtij viti, në të cilën gjithashtu është kërkuar shfuqizimi i tij.

Ministria e Infrastrukturës që nga e enjtja nuk ka kthyer përgjigje lidhur me hapat që kanë ndërmarrë karshi kërkesave dhe rezolutës së Kuvendit që rekomandon shfuqizimin e Udhëzimit. Përgjigje lidhur me këtë çështje Ministria e Lekajt e as vetë ai nuk kanë dhënë as para se kryeministri Ramush Haradinaj të jepte dorëheqjen.

Ndërkohë që njohës të kësaj fushe kanë thënë se nuk presin se do të ketë ndonjë hap në eliminimin e monopolit në homologim të automjeteve deri në formimin e Qeverisë së re.

(Kosova Sot Online)