Uji i ngrohtë po i vret salmonët në Alaskë

  • 17 August 2019 - 10:31
Uji i ngrohtë po i vret salmonët në Alaskë

Alaska, shteti i madh veriperëndimor i Shteteve të Bashkuara, është përfshirë këtë verë nga një valë e pazakonshme e temperaturave të larta. Duket se i nxehti e ka shkaktuar edhe ngordhjen e një numri të madh të peshqve të llojit salmon.

Shkencëtarët e kanë përcjellë ngordhjen e disa llojeve të salmonëve, përfshirë salmonin rozë. Stephanie Quinn-Davidson, drejtoreshë e një komisioni rajonal të peshkimit, tha se ajo ka shkuar bashkë me një ekip shkencëtarësh në Alaskë pas njoftimit të banorëve për ngordhjen e peshqve.

Ajo dhe ekipi i saj i gjetën 850 salmonë të ngordhur në një lumë, ndonëse besojnë se numri i përgjithshëm i peshqve të ngordhur është dhjetë herë më i madh. Ata hulumtuan për shenja të parazitëve dhe infeksioneve, por nuk gjetën diçka të tillë.

Në këtë mënyrë, ekipi i shkencëtarëve arriti në përfundimin se peshqit kanë ngordhur për shkak të valës së të nxehtit.

Davidson tha se është marrë me hulumtimin e peshqve për tetë vjet dhe se asnjëherë nuk ka parë shkallë kaq të lartë të ngordhjes së tyre.

Sipas matjeve zyrtare, temperaturat e ajrit dhe ujit kanë shënuar rekorde këtë vit në Alaskë, shkruan “CNN”.

(Kosova Sot Online)