Arabia Saudite akuzohet për fshehjen e krimeve të luftës në Jemen

  • 17 August 2019 - 12:02
Arabia Saudite akuzohet për fshehjen e krimeve të luftës në Jemen

Një grup i avokatëve ndërkombëtarë dhe një grup jemenas për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë paraqitur dëshmi të reja për dyshimet se Arabia Saudite ka kryer krime lufte. Këto dëshmi i janë dorëzuar qeverisë britanike në përpjekje për ta ndaluar shitjen e armëve nga Britania në Mbretërinë e Arabisë Saudite.

Në raportin me gati 300 faqe janë paraqitur disa shkelje të ligjeve ndërkombëtare nga koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen. Aty thuhet se autoritetet saudite janë përpjekur t’i fshehin dëshmitë për krime lufte. Një gjë e tillë është vërejtur gjatë hetimit të sulmeve ajrore.

Dëshmitë janë mbledhur nga hulumtuesit e grupit të pavarur jemenas për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Mwatana, dhe i janë dorëzuar sekretares britanike për tregti ndërkombëtare, Liz Truss. Në raport përfshihen hulumtimet dhe analiza e sulmeve që kanë shkaktuar viktima civile.

“Koalicioni ka vazhduar të kryejë sulme ilegale gjatë konfliktit, ka dështuar të zhvillojë hetime të besueshme dhe i ka fshehur dëmet që ua ka shkaktuar civilëve”, thuhet në deklaratën e kësaj organizate.

Qeveria britanike vazhdimisht e ka arsyetuar shitjen e armëve për koalicionin e udhëhequr nga sauditët me ekzistimin e një ekipi vendor për vlerësimin e incidenteve, duke thënë se ata merren me hetimin e shkeljeve të ligjeve ndërkombëtare dhe se do të raportonin për diçka të tillë, shkruan “Independent”.

(Kosova Sot Online)