Fushata e çon Kadri Veselin te Kalaja e Novobërdës ku policët po e ruajnë flamurin

  • 17 gusht 2019 - 21:49
Fushata e çon Kadri Veselin te Kalaja e Novobërdës ku policët po e ruajnë flamurin

Zgjedhjet po afron shpejtë, e ende pa filluar zyrtarisht fushata zgjedhore, politikanët tashmë kanë filluar me premtime e me deklarata populiste. Me valëvitjen e flamurit të Kosovës në kalanë e Novobërdës, kishte pasur reagime të mëdha nga mediat serbe. E kjo kishte ndikuar që dikush ta heqë flamurin, për t’u rivendosur përsëri, e kësaj here për të pasur mbrojtje nga policia e Kosovës.

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar sot këtë kala antike. Ai përmes një shkrimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, ka thënë se ndihet krenar me kalanë e Novobërdës, me flamurin dhe policinë e Kosovës.

“Krenar me kalanë e lavdishme të Novobërdës, këtë perlë të trashëgimisë sonë kulturore dhe këtë vendbanim antik që ndër shekuj ka shërbyer si udhëkryq qytetërimesh. Krenar akoma më shumë me flamurin e bukur të Kosovës ,që valëvitet krenar në kullat e saj, si dhe me policinë dhe institucionet e tjera të shtetit që kujdesen për monumente e vyera të Kosovës” shkroi Veseli.

Ai nga këtu nuk e la pa e përmendur edhe fqinjin verior, madje e cilëson veten si kryeministër i ardhshëm i Kosovës

“Serbia e ka të kot që përpiqet ta përvetësoj kulturën dhe trashëgiminë tonë. Si kryeministër i ardhshëm nuk do të lejoj që të instrumentalizohet politikisht apo të preken nga askush dhe për asnjë motiv kjo pasur e lashtë e Kosovës” shkroi ai në Facebook.

Veseli gjithashtu bëri edhe premtim elektoral për hapjen e vendeve të reja të punës për rininë.

“Ne kemi për t’ia kthyer lavdinë e dikurshme Novobërdës, jo vetëm duke e bërë një atraksion ndërkombëtar të turizmit kulturor por edhe duke rimëkëmbur minierën e vjetër. Kudo ku shkoj në Kosovë, shoh se ka potencial të madh zhvillimi dhe jam i bindur se e po të ndjekim drejtimin e duhur politik, kemi për të hapur shumë vende të reja pune për rininë” shkroi kreu i PDK’së. 

(Kosova Sot Online)