“Skenari i Kalit të Trojës”, analisti tregon si u shkatërrua Telekomi nga banda e njohur

  • 18 August 2019 - 07:45
“Skenari i Kalit të Trojës”, analisti tregon si u shkatërrua Telekomi nga banda e njohur

“Pra të gjitha këto duan përgjigje dhe ajo është se krimi i organizuar ka vepruar nga brenda i papengueshëm dhe i maskuar taman si Kali i Trojës sepse kjo bandë kriminale serbiane Devolli dhe kryebanditët e majave te shtetit, që kanë quajtur vetin edhe QEVERI, i kanë blerë këta shpirtshitur dhe këta krye idiot të Telekomit dhe ata kanë heshtur", tha Badallaj për "Kosova Sot Online".

Një raport i veçantë analitik i hartuar së fundi nga ekspertë të Telekomit, saktëson humbjet 10 vjeçare që kapin shifrën mbi 107 milionë euro, që i ka pësuar kompania publike nga kompania Z-Mobile e Blerim Devollit.

Image

Analistët politikë konsiderojnë se ky lloj hulumtimi është dashur të bëhet me kohë dhe hap pas hapi, e jo të priten 10 vite që ta vërtetojnë dhe t’i dërgojnë në prokurori dëshmitë se Telekomi ka pësuar qindra miliona humbje nga Z – Mobile e Blerim Devollit.

Sipas tyre, edhe vonimi i raportit ka qëllimin e vetë të veprimit të organizuar për shkatërrimin e Telekomit.

Departamenti teknik në Telekom ka konstatuar pas analizës së bërë, se 73% e të hyrave kanë shkuar në favor të Z-Mobile, pra krejt e kundërta nga ajo që duhet të ndodhte.

Në raport thuhet se për 9 vite sa ka zgjatur kontrata (2010-2019), Telekomi ka pësuar humbje 107 milionë humbje reale të deklaruara për Telekomin, e 73 milionë fitim bruto për Z-Mobile. Mbi 140 milionë euro vlera e llogaritur e të hyrave që ka humbur kompania publike për shkak të numrave që janë marrë nga Z-Mobile. Si dhe humbjet disa milionëshe për shkak të thirrjeve të humbura dhe largimit të konsumatorëve të pakënaqur si pasojë e mbingarkesës të shkaktuar nga shërbimet pa limit të Z-Mobile.

Gjithashtu, saktësohen të dhëna për katër vite (2014-2018) e shihet se kostoja e cila i ka kushtuar Telekomit për shkak të shërbimeve të Z-Mobile vetëm për këto vite arrin shumën e 56,778,176 euro, ndërsa për periudhën 2010-2013 kjo shumë ka qenë 22,484,158 euro. Kostoja totale për 9 vite del të jetë mbi 84 milionë euro. Po ashtu aty thuhet se nga kjo kontratë, Telekomi vetëm nga 27%-shi, ka humbur mbi 8 milionë euro, si dhe dënim nga Arbitrazhi. Si përfundim nga ky raport, bëhet e ditur se ka pasur mbi 73 milionë fitim për Z-Mobile, 107 milionë euro humbje zyrtare të deklaruara për Telekomin, ndërsa, rreth 140 milionë është vlera e përllogaritur e të hyrave nga kjo kontratë, prej numrave të marrë nga kjo kontratë dhe nga dukuria SIM to SIM.

E sipas analistit politik, Reshat Badallaj këto të dhëna sado të vonuara, janë të mjaftueshme për të vepruar Prokuroria Speciale kundër zhvatjes kriminale të Telekomit nga vëllezërit Devolli, dhe të mos i mbylli sytë.

Sipas tij, heshtja e prokurorisë po ndodhë ngase kjo është një zhvatje e dizajnuar mirë në bashkëpunim të politikës me krimin e organizuar .

“Humbjet në Telekom janë bërë në këtë mënyrë të organizuar dhe të jeni të bindur se dihet kush ka ndikuar për ta shkatërruar deri në themel këtë dikaster shumë të rëndësishëm. E para, brenda në Telekom, pra në majën e piramidës kanë qenë krye hajnat dhe kryebanditët shpirt shitur. Këta krye vagabondë kanë qenë nënshtrues nga bandat politike dhe sidomos nga krye banditët e majave te shtetit dhe sidomos nga bandat me kriminale të nëntokës më të rrezikshme në tërë Ballkanin, ata me gjak serbi që quhen Devolli”, tha Badallaj për “Kosova Sot Online”.

Ndryshe sipas Badallajt, nuk ka mundur të ndodhë që Telekomi të ketë vazhdimisht humbje dhjetë vjeçare dhe të mos alarmohet askush dhe të mos nxirret një raport më i hershëm e të dërgohet në prokurori dhe të hetohet.

Sipas Badallajt, banda shkatërrimtare ka vepruar nga brenda, e fshehur dhe maskuar ngjashëm me skenarin e Kalit të Trojës.

“Shtrohet pyetja se a nuk ka pasur fare ekspert Telekomi që të mos hetohen humbjet katastrofave nga një bandë që dirigjohet nga qarqet shoviniste serbe dhe nga majat e bandës kriminale shtetërore në Kosovë dhe të mos hetohen? Pra të gjitha këto duan përgjigje dhe ajo është se krimi i organizuar ka vepruar nga brenda i papengueshëm dhe i maskuar taman si Kali i Trojës sepse kjo bandë kriminale serbiane Devolli dhe kryebanditët e majave te shtetit, që kanë quajtur vetin edhe QEVERI, i kanë blerë këta shpirtshitur dhe këta krye idiot të Telekomit dhe ata kanë heshtur. Ndryshe si mund t´i falet ky gabim kësaj kopeje hajnash dhe kësaj bande kriminale që jo vetëm dëmtuan Telekomin por edhe buxhetin e shtetit dhe vodhën deri në palcë edhe djersën e punëtorëve që punonin vetëm për kafshatën e gojës”, tha Badallaj për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)