Përplasje në Komunë të Prishtinës: Gashi i LDK’së asamblisit të VV’së: Mos ma përmend emrin se të fshi

  • 19 August 2019 - 11:09
Përplasje në Komunë të Prishtinës: Gashi i LDK’së asamblisit të VV’së: Mos ma përmend emrin se të fshi

Në diskutimin për kiosqet i cili po zhvillohet në Kuvendin e Komunës së Prishtinës, janë përplasur asamblisti i LDK’së Shefki Gashi dhe ai i VV’së, Egzon Azemi. Ata kanë shpërthyer me akuza e fjalë fyese ndaj njëri-tjetrit.

Sot në asamblenë e Prishtinës po zhvillohet diskutimi rreth ankandit për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të KP’së, për kiosqet.

Partitë opozitare po kërkojnë që të tërhiqet ky ankand të cilin po e quajnë diskriminues për qytetarët.

Asamblisti i VV’së, Egzon Azemi, gjatë fjalimit të tij e ka përmendur emrin e Shefki Gashit të LDK’së, e këtij nuk i pëlqeu kjo gjë.

“Mshele gojën, mos ma përmend emrin, ti emrin tim harroje, shqip po të them, kurrfarë obligimi ndaj teje s’kam. Unë jam asamblisti më i vjetër këtu, duhet ta dini ju mirë, anëtarin e komisionit e tërheq vetëm ai që e kq votu, s’mundet kërkush me m’thirrë n’telefon me m’thënë Shefki tërhiqu, s’jam i PDK’së unë, jam i LDK’së”, i ka thënë Gashi Azemit.

Ndërkaq derisa Gashi ishte duke e vazhduar fjalën e tij, në momentin kur thotë se si asamblistë kanë ardhur që të punojnë për një interes, atë të qytetarëve, Azemi i tha se ka ardhur për interesin e vet.

E ndaj këtyre fjalëve të Azemit përsëri shpërtheu Gashi i cili kësaj radhe ishte edhe më i ashpër.

“Mshele gojën, se t’fshi. Për çka po e përmend emrin tim, a m’keni votu anëtar të komisionit, pse s’më keni thirrë me thanë grupi u tërhiq, tërhiqu edhe ti”, ka thënë Gashi.

Diskutimi për kiosqet ende po vazhdon në asamblenë e Prishtinës.


(Kosova Sot Online)