Paralajmërimi: Pa ndodhur kjo gjë, nuk ka marrëveshje historike mes Kosovës dhe Serbisë

  • 19 August 2019 - 13:13
Paralajmërimi: Pa ndodhur kjo gjë, nuk ka marrëveshje historike mes Kosovës dhe Serbisë

“Kur i bëjmë një analizë nga këndvështrimi i rrjedhjes logjike të ngjarjeve, mund të them që nuk ekziston asnjë shancë që tani për tani, në këto rrethana dhe me këta njerëz si në Kosovë e ashtu edhe në Serbi e Shqipëri, të bëhet ndonjë marrëveshje përfundimtare për njohje të ndërsjellët”, tha Aliu për “Kosova Sot Sot Online”.

Duke e përcjellë ecurinë e deritanishme të bisedimeve me Serbinë për të arritur një marrëveshje paqësore me interes për të dyja vendet, për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon e më gjerë, ndryshimet që ndodhën së fundi në BE dhe, ardhjen e Josep Borrell qe vjen nga Spanja dhe tash e tutje do të jetë në ndërmjetësim të bisedimeve ne vend të Frederica Mogherinit, pore edhe insistimin e Rusisë që të bëhet pjesë e këtyre bisedimeve për ta forcuar interesin serb në dëm të Kosovës, analisti politik, Dr. Hysni Aliu konsideron se në këto kushte është e pamundur që me këta njerëz të arrihet diçka që do të jetë në interes të Kosovës, por edhe të paqes në rajon.

Image
Hysni Aliu

Aliu thotë se fillimisht duhet të bëhen reforma të thella shoqëroro-politike në të dyja vendet, dhe vetëm pastaj të mundë të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që trajton dhe zgjidh të gjitha çështjet e hapura në mes të dyja vendeve, sidomos dëmin e madh dhe krimet që shteti serb ka kryer në raport me Kosovën.

Aliu pohon se zgjidhja e kësaj nyje që është me interes jetik për paqen në Ballkan, nuk mund të arrihet me qasje politike dhe eufori nacionaliste, e as nga njerëz të cilët janë të involvuar në krim e korrupsion në të dyja shtetet.

“Por vetëm me ndërrimin e klasave politike në të dyja shtete, e që duhet të arrihet tani pa vonesë sepse kjo është përgjegjësi e të gjithëve, pozitës dhe opozitës, që në Kosovë duhet të flasin vetëm me një zë. Të qëndrosh duarkryq, në një situatë kur negociohet për ekzistencën e shtetit, do të thotë më së pakti papërgjegjësi, për të mos thënë armiqësi ndaj shtetit ku jeton. E them këtë sepse që nga pas lufta pazaret e tilla për pushtet sikurse ky për bisedimet kanë gërryer themelin e shtetit të Kosovës. Aq sa po mundohet Serbia që ta dëmtoj nga jashtë Kosovën në masë më të madhe Kosova po dëmtohet nga brenda, pikërisht nga partitë që po qeverisin aktualisht, pore edhe ato që kanë qeverisur më herët. Ne po frikohemi nga diplomati Spanjoll që së fundi u emërua në vend të z. Mogerini, apo nga deklaratat e ambasadorit rus në Begrad Aleksandër Botsan-Kharchenko ndërsa po harrojmë që ata kanë kulturën evropiane, duke mos kuptuar që Kosovës, rreziku më i madh i vjen pikërisht nga klanet kriminale brenda Kosovës, të cilat po bëjnë tregti edhe më me të shenjtën toni pavarësinë e Kosovës”, tha Aliu për “Kosova Sot Online”. 

Sipas Aliut, për reforma politike në Kosovë që do të shkonin në krijimin parakushteve të përshtatshme për bisedime me Serbinë, pa ato kompromiset e rrezikshme, do të duhej që shtetet mike tani ta përkrahin opozitën kosovare dhe posaçërisht organizimin e diasporës, e cila së bashku me partitë opozitare do të bënte ndryshimin në Kosovë.

Prandaj sipas Aliut, pavarësisht presionit për bisedime të shpejta, Kosova nuk ka arsye të nxitohet, pasi nxitimi mund t’i kushtojë me disavantazh të madh me këta njerëz që tash e kanë zhvilluar dhe tentojnë ta zhvillojnë akoma këtë proces.

“Sa i përket bisedimeve Kosove Serbi, ato janë vetëm një lojë e Serbisë nga e cila lojë Kosova vetëm se mundë të humbë diçka, ndërsa mundësia e sjelljes së ndonjë fryti për Kosovën është pothuajse zero. E them këtë sepse rreziku për Kosovën ekziston edhe nga planet afatgjate e afatshkurtër të perëndimit, që ndërlidhen me integrimin në Nato të vendeve të Ballkanit. Si rrjedhojë e këtyre ngutive, ekziston rreziku i ndonjë zgjidhje gjysmake për Kosovën, nga e cila zgjidhje Serbia do të fitonte shumë ndërsa Kosova shumë pak, për të mos thënë hiq”, tha Aliu për “Kosova Sot Online”.

Ai po ashtu tha se integrimi në NATO do të ishte mrekulli, por kurrsesi me ndonjë zgjidhje paraprake gjysmake në marrëveshjen me Serbinë, sikurse ishte ajo me paketën e Ahtisarit e cila në shumë segmente po lë edhe sot pasojat e veta.

Prandaj sipas Aliut, këtë proces historik, sidomos Kosova duhet ta merr dhe përgatis me shumë kujdes, pavarësisht zërave nxitjes që vijnë qoftë nga Serbia, Rusia apo edhe vendet tjera të BE-së.

“Kur i bëjmë një analizë nga këndvështrimi i rrjedhjes logjike të ngjarjeve, mund të them që nuk ekziston asnjë shancë që tani për tani, në këto rrethana dhe me këta njerëz si në Kosovë e ashtu edhe në Serbi e Shqipëri, të bëhet ndonjë marrëveshje përfundimtare për njohje të ndërsjellët. Këtë e bazoj në faktin që ka maksimalisht propagandë dhe urrejtje në Serbi, ka elitë kriminale në Serbi, në Kosovë e në Shqipëri, e ku opinionet në të dy vendet janë përgatitë edhe për luftë më shumë se për marrëveshje paqësore, kurse faktori ndërkombëtar është po aq i ndarë sa i përket Kosovës sa që asgjë s’ mundet të shtyhet përpara në këto rrethana”, tha Hysni Aliu për “Kosova Sot Sot Online”. 

Aliut thotë se procesi duhet përgatitur me kujdes, sado që dikujt mundë t’i duket i vonuar.

“Zgjidhja duhet të filloj nga krijimi i parakushteve për marrëveshje, e ato krijohen kur largohen kriminelet nga pushteti, pastaj popullit i ofrohet pasqyrë reale për të kaluarën , të tanishmen dhe të ardhmen, dhe kur negociatat udhëhiqen nga njerëz akademik që në vend të urrejtjes kanë dashurinë ndaj njëri tjetrit, dhe në vend të tendencës për nënshtrim kanë tendencën për respektim dhe fqinjësi të mirë me të gjithë”, përfundoi Aliu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)