Në Peru zbulohet murali i vjetër 3800 vjet

  • 20 August 2019 - 13:57
Në Peru zbulohet murali i vjetër 3800 vjet

Arkeologët në Peru e kanë zbuluar një mural që besohet se është rreth 3800 vjet i vjetër. Murali u gjet brenda një ndërtese për ceremoni publike në veri të kryeqytetit peruan, Lima.

Në muralin e ndërlikuar janë të paraqitura disa figura që përfaqësojnë shtresa të ndryshme të njerëzve.

Ruth Shady Solis, drejtoreshë e Zonës Arkeologjike të Caral-it, beson se ky mural paraqet pasurimin e tokës me ujë përmes të reshurave.

Ajo tha se në civilizimin andian, bretkosat e simbolizonin ujin dhe se fytyra e paraqitur në pjesën e poshtme përfaqëson njerëzit duke pritur për rënien e shiut dhe vazhdimin e jetës.

Në një pamje tjetër shihen katër koka të njerëzve me gjarpërinj që i kanë rrethuar ato.

Hulumtuesit thanë se këto skulptura mund të jenë bërë në një periudhë të vështirë, kur njerëzit janë përballur me mungesë ushqimesh.

Kërkimet e arkeologëve për gjësende të lashta në këtë pjesë kishin filluar në vitin 2007. Ekspertët besojnë se në këtë zonë ka jetuar një komunitet i lashtë që është marrë me bujqësi dhe peshkim, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)