Çudit politikani serb: E drejta ndërkombëtare lejon që Kosova t’i jepet Rusisë

  • 20 August 2019 - 14:04
Çudit politikani serb: E drejta ndërkombëtare lejon që Kosova t’i jepet Rusisë

Kryetari i një partie politike në Serbi ka deklaruar se “e drejta ndërkombëtare lejon që një pjesë e një territori sovran t’i jepet shtetit tjetër sovran, nëse kjo nuk bëhet dhunshëm, përkatësisht pa pëlqimin e përfaqësuesve të territorit që jepet”.

Kështu në fakt ka deklaruar kryetari i partisë Zdrava Serbia (Serbia e shëndetshme), Millan Stamatoviq, i cili angazhohet që Kosova t’i jepet në qeverisje Rusisë, e citon agjencia e lajmeve të Beogradit, Beta.

“Këtë e kanë konfirmuar qysh më 2017, me rastin e interesimit të (presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës) Donald Trumpit që të blejë nga Danimarka Grenlandën, edhe ekspertët amerikanë, profesorët e të drejtës nga Universiteti Duke në SHBA, Joseph Blocher dhe Mitu Gulati”, thuhet në deklaratën me shkrim të këtij farë politikanit serb, Stamatoviq. 

Sipas tij, Serbia u dashka sa më parë të nisë procesin për të parandaluar “skenarin e aktit të kryer që po na e bën gati NATO, dhe kështu do të lehtësohej në mënyrë të veçantë edhe jeta e serbëve dhe e jo shqiptarëve në territorin e Kosovës, veçmas nëse kihet parasysh pozita ndërkombëtare dhe ndikimi i Rusisë në botë si dhe hovi ekonomik i saj gjatë dekadave të fundit”, sikur i pëlqen të ëndërrojë ky politikan serb, të cilit shihet qartë se i është ndalur ora e historisë dhe e kujton Kosovën si koloni të Serbisë para se të çlirohej dhe të shpallej shtet i pavarur, sovran, tashmë i njohur nga 116 vende të botës, ndër to edhe ato më të fuqishmet.

(Kosova Sot Online)