VV-ja reagon për grevën në aeroport

  • 21 August 2019 - 12:14
VV-ja reagon për grevën në aeroport

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar për grevën që po mbajnë tash e sa ditë punëtorët e aeroportit.

VV-ja thotë se të drejtat e punëtorëve të aeroportit po shkelen çdo ditë.

“Në periudhën kur fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” po rriten, e rrjedhimisht po rriten edhe te hyrat për kompaninë private që e ka marrë me koncesion, të drejtat e punëtorëve po shkelen çdo ditë e më shumë. Eliminimi i dallimeve në paga, pagesa për përvojën e punës, pagesa për orët e punës gjatë vikendit dhe të drejta të tjera që parashihen në Ligjin e Punës, janë vetëm disa nga kërkesat e punëtorëve”, thuhet në reagim.

“Lëvizja Vetëvendosje ka kohë qe ka paralajmëruar dëmet e politikave neoliberale të imponuara mbi ekonominë dhe shoqërinë e Kosovës dhe i ka kundërshtuar ato. Imponimi është bërë në forma të ndryshme, herë privatizim e herë koncesionim, por rezultatet kanë qenë të njëjta: shpronësim i qytetarëve e shkelje e të drejtave të punëtorëve”, shkruhet në reagim.

Ajo ka kërkuar që të paktën punëtorëve t’u ofrohet mundësia që të dialogojnë me menaxhmetin.

“Thirrjet e menaxhmentit për ta anuluar grevën dhe protestën do të ishin legjitime, nëse punëtorëve do t’u ofrohej dialogu nga menaxhmenti dhe drejtësia nga shteti. Por, punëtorët po përballen me arrogancën e menaxhmentit dhe injorimin e shtetit. Ditëve të fundit madje u është ndaluar hyrja në punë një numri të grevistëve, e veprime të tilla nga ana e menaxhmentit duhet të ndalen sepse punëtorët dhe sindikata kanë të drejtë për t’u organizuar në greva”, shkruhet tutje.

Punëtorët e aeroportit do të mbajnë grevë edhe sot nga ora 8 deri në orën 14:00. 

(Kosova Sot Online)