Prokuroria: Po punojmë intensivisht për të hetuar pagesën 53 milionëshe për Bechtelin

  • 21 August 2019 - 15:12
Prokuroria: Po punojmë intensivisht për të hetuar pagesën 53 milionëshe për Bechtelin

Qeveria e Kosovës i kishte paguar kompanisë Bechtel Enka 53 milionë euro nga buxheti i shtetit për dështimin e përmbushjes së obligimeve në ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”. Por tani Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar për media se i gjithë procesi është nën hetim.

Në qershor të vitit 2018, Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj kishte thënë se Bechtel Enkas duhet t’i paguhen 53 milionë euro shtesë për autostradën Prishtinë –Shkup.

” Për shkak të pagesave që s’kishim buxhet e që kontrata të jetë valide e zgjatëm deri më 1 qershor të 2019, jo për të kryer punimet por për të shlyer borxhin që ne i kemi ‘Bechtel & Enkas. Më vjen keq për shumën 53 milionë por ky obligim duhet të kryhet, paratë duhet të paguhen” kishte thënë Lekaj.

Kjo shumë kishte nxitur përplasje të forta, opozita kishte akuzuar Qeverinë se kishte marrë të holla nga buxheti pa arsye. Zyrtarë nga LDK kishin thënë se shuma është e fryrë dhe se Qeveria duhej të paguante shumë më pak.

“Ky është abuzim i parasë publike. Siç ka qenë abuzim dhe falja e 60 milionë euro borxhe të ndryshme. Mandej ndarje të vazhdueshme të mjeteve nga rezervat shtetërorë pa asnjë kriter. Rritja e pagave për kabinetin qeveritar. Ose shpenzimet qe behën për 70 zv.ministra tash dhe për koordinator nacional. Kjo është plaçkë moderne institucionale”, kishte thënë Avdullah Hoti.

Ndërkohë AAK kishte akuzuar këta të fundit për neglizhencë në kryerjen e pagesave dhe i hidhte fajin kësaj të fundit për shumën që duhej paguar ndaj kompanisë ndërkombëtare. Madje Pal Lekaj thoshte se shuma që duhej paguar ishte 63 milionë por që ai kishte negociuar dhe kishte ulur shumën në 53.1 milionë saktësisht.

Tani i gjithë procesi është nën hetim.

“Hetimet janë në zhvillim e sipër, deri më tani janë dëgjuar një numër i konsiderueshëm i dëshmitarëve, si dhe jemi duke punuar në mënyrë intensive në këtë rast”, thotë zëdhënësi i Prokurorisë Speciale Ekrem Lutfiu

Ai ka shtuar se është shumë herët që të zbulohen detaje rreth këtij rasti.

Kontrata fillestare për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit ishte nënshkruar me 1 korrik 2014 dhe kishte vlerën 599.944.263.55 euro.

Autostrada “Arbën Xhaferi” lidh Prishtinën me Shkupin dhe është një ndër autostradat më modern në rajon.
(Kosova Sot Online)