Jeremiq ia bën një pyetje të sikletshme Vuçiqit për takimin e djeshëm me Pompeon

  • 21 August 2019 - 15:59
Jeremiq ia bën një pyetje të sikletshme Vuçiqit për takimin e djeshëm me Pompeon

Ish –Ministri i Jashtëm i Serbisë Vuk Jeremic e ka vënë në siklet shefin e shtetit serb Aleksandar Vuçiq rreth takimit të djeshëm në Nju Jork me Sekretarin Amerikan të Shtetit Mike Pompeo.

Vuçiq dhe Jeremiq janë dy kundërshtarë të ashpër në skenën politike serbe edhe pse ajo dominohet krejtësisht nga i pari. Ata zihen më së shumti rreth Kosovës. Vuçiq e akuzon Jeremiqin rreth rastit të GJND’së duke thënë se pikërisht Jeremiq e ka bërë pyetjen skandaloze për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila në vendimin e saj rreth shpalljes së pavarësisë kishte vendosur pro Kosovës. Ndërsa Jeremiq muajve të fundit e akuzon Vuçiqin në vazhdimësi se po bën negociata sekrete me Hashim Thaçin dhe amerikanët për dorëzimin e Kosovës dhe ndarjen e saj.

E sot gjatë ditës Jeremiq e ka pyetur Vuçiqin rreth takimit në Nju Jork duke i kërkuar përgjigje nëse në takimin me Pompeon ka marrë pjesë edhe ish –Kryeministri Tony Blair, i cili po ashtu shpesh është apostrofuar se është i përfshirë në çështjen e bisedimeve rreth Kosovës pasi tashmë dihet se ai ka raporte pune edhe me Edi Ramën. Siç dihet Blair pas largimit nga Zyra e Kryeministrit merret me lobim.

“I nderuar avucic, a është e vërtetë se në takimin e djeshëm në Nju Jork me Sekretarin Amerikan të Shtetit ka marrë pjesë edhe Tony Blair? Nëse po, në çfarë kapaciteti – si këshilltar apo si mik personal i juaji, apo këshilltar i Qeverisë së Serbisë? ka shkruar Jeremic në Twitter.

Ndryshe State Departamenti duke njoftuar rreth takimit Pompeo –Vuçiq ka bërë me dije se shefit të shtetit serb i është kërkuar njohja e pavarësisë së Kosovës si rezultat i ndërsjellë.

(Kosova Sot Online)