Sindikalistët e PTK-së kanë një paralajmërim për menaxhmentin e Telekomit

  • 22 gusht 2019 - 13:06
Sindikalistët e PTK-së kanë një paralajmërim për menaxhmentin e Telekomit

FSP-PTK është duke e përcjellë nga afër procesin pas njoftimit zyrtar nga Telekomi i Kosovës për mosvazhdim të kontratës me Z-Mobile pas skadimit të saj me 30 korrik të këtij viti.

“Për FSP-PTK është i papranueshëm deklarimi i Menaxhmentit se periudha e tranzicionit do të zgjatë 30 deri 120 ditë. Vendimi i shkruar i Menaxhmentit nuk u referohet as 30 ditëve e as 120 ditëve, por i referohet vetëm nenit 13 të kontratës, konkretisht periudhës së tranzicionit. Por, në nenin 13, konkretisht pika 13.1 dhe 13.2 u referohen tranzicionitvetëm në rastet e shkëputjes së parakohshme të kontratës, e jo tranzicionit pas skadimit të kontratës, siç është rasti ynë”, thuhet në komunikatë.

“Prandaj, pasi kontrata aktuale ka skaduar sipas afatit e nuk është ndërprerë parakohshëm, në këtë rast, për FSP-PTK koha e tranzicionit të kontratës aktuale ka përfunduar me 30 korrik, pikërisht në datën e skadimit të kontratës, sepse Menaxhmenti i Telekomit të Kosovës e ka njoftuar Z-Mobile qysh me 24 qershor se kontrata aktuale nuk do të vazhdohet.”

Tutje, në këtë komunikatë thuhet se “FSP-PTK e ka toleruar tranzicionin 30 ditë jo pse i takon Telekomit, por vetëm e vetëm që t’u japë kohë ARKEP-it dhe Manaxhmentit të Telekomit që t’i kthehen numrat e marrë Telekomit. Por, duke u bazuar në përmendjen e 30 deri 120 ditëve tranzicion nga Menaxhmenti i Telekomit, si dhe duke u bazuar në paqartësinë e ARKEP për të marrë vendime lidhur me kthimin e numeracionit, u bëjmë me dije të gjitha institucioneve se, pas datës 31 gusht nuk do të ofrohet më shërbime për Z-Mobile. Kërkojmë posaçërisht nga ARKEP që t’u përmbahet obligimeve të veta ligjore dhe konform edhe kërkesës së fundit të Komisionit Hetimor Parlamentar, t’ia kthejë numeracioninTelekomit të Kosovës.”

“Me këtë rast e falënderojmë Komision Hetimor Parlamentar për përgjegjësinë dhe punën e madhe në funksion të zbardhës së gjendjes në Telekom e posaçërisht në ndriçimin e fakteve rreth kontratës korruptive me Z-Mobile. Prandaj, këtë paralajmërim me kohë të FSP-PTK ta merrni seriozisht ashtu që periudhën e tranzicionit ta përfundoni brenda 30 ditëve. Përndryshe, të gjitha pasojat e mundshme pas datës 31 gusht do t’i bartin institucionet përgjegjëse, Menaxhmenti i Telekomit të Kosovës si dhe ARKEP-i”, përfundon shkrimi.

(Kosova Sot Online)