UP demanton shpërndarjen e lajmit të rremë për punësimin e një analfabeti si asistent

  • 22 August 2019 - 20:34
UP demanton shpërndarjen e lajmit të rremë për punësimin e një analfabeti si asistent

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka reaguar ndaj qarkullimit në rrjete sociale të një postimi, nga një llogari e njohur për ne, ku personi në fjalë pretendon se është i angazhuar si asistent në UP. Pas përmasave që mori ky lajm i rremë, Zyra për Çështje Akademike në UP konfirmon se personi në fjalë nuk është i angazhuar në asnjë pozicion ligjërimi në Universitetin e Prishtinës.

“Me anë të këtij sqarimi për medie dhe për opinionin publik, informoheni që Universiteti i Prishtinës aktualisht është në pushim kolektiv. Rrjedhimisht, gjatë kësaj periudhe nuk është marrë asnjë vendim lidhur me angazhim të stafit akademik në kuadër të UP-së”.

Për informimin tuaj, Universiteti i Prishtinës, përkatësisht Fakulteti i Filologjisë, nuk ka degë të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në të cilën personi në fjalë pretendon se është angazhuar, por ka departamente të veçanta për Gjuhën Shqipe dhe për Letërsinë Shqipe.

“Rikujtojmë që kjo nuk është hera e parë që publikohen shkrime të pakonfirmuara që lidhen me Universitetin e Prishtinës, të cilat synojnë dëmtimin e imazhit të UP-së. UP-ja deri më tani, në asnjë nga adresat e veta zyrtare, nuk ka pranuar ndonjë kërkesë për konfirmim të angazhimit të personit në fjalë”, thuhet në sqarimin e UP’së.

(Kosova Sot Online)