Telekomi paguan 707 mijë euro për kompani të marketingut edhe pse ka mbi 100 punëtorë për këtë sektor

  • 23 August 2019 - 09:37
Telekomi paguan 707 mijë euro për kompani të marketingut edhe pse ka mbi 100 punëtorë për këtë sektor

Një ditë pas kontratës për blerjen e 305 telefonave të mençur, Telekomi i Kosovës ka nënshkruar një tjetër kontratë me vlerë të madhe.

Përkundër faktit se numëron mbi 100 punëtorë në Departamentin e Marketingut, kjo ndërmarrje ka angazhuar një kompani private për t’ia kryer punët.

Kompania e marketingut N.SH. “2 B” ka fituar tenderin në vlerë 707 mijë euro për “Shërbime të realizimit të reklamave dhe furnizim me material marketingu”.

Në dosjen e tenderit, ndërmarrja e ka arsyetuar me terma përgjithësues dhënien e këtij tenderi.

“Realizimi i idesë, konceptit si dhe realizimi reklamave te marketingut për nevojat e Telekomit te Kosovës për promovimin e produkteve dhe shërbimeve te veta duke përfshirë furnizimin me materialin reklamues qe shoqërojnë kampanjat e marketingut, materialet reprezentative për promocione te ndryshme si dhe brendim te pikave shitëse dhe hapësirave tjera për reklamim të produkteve, shkërbimeve dhe ofertave te Telekomit të Kosovës”, thuhet aty.

Sipas dosjes së tenderit, shumë prej punëve kompania do t’i kryejë në hapësirat e Departamentit të Marketingut në Telekom.

Në këtë departament punojnë mbi 100 persona si zyrtar të marketingut.

Image
Image

(Kosova Sot Online)