Erdogan dhe Putin do të takohen të martën në Moskë

  • 24 August 2019 - 11:04
Erdogan dhe Putin do të takohen të martën në Moskë

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, ka planifikuar vizitë njëditore në Moskë me 27 gusht për një takim me presidentin rus, Vladimir Putin.

Zyra presidenciale e Erdoganit e dha të premten njoftimin për vizitën e planifikuar pasi dy presidentët zhvilluan bisedë telefonike lidhur me situatën dhe zhvillimet më të reja në pjesën veriperëndimore të Sirisë.

Raportohet se Erdogani i ka thënë përmes telefonit Putinit se sulmet e forcave të Asadit, të mbështetura nga ushtria ruse, po shkaktojnë krizë humanitare dhe se paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare të Turqisë.

Në anën tjetër, Kremlini tha se Putin dhe Erdogan janë pajtuar për përpjekje të përbashkëta aktive për ta lehtësuar situatën në provincën e Idlibit, ku rritja e dhunës i ka detyruar mijëra njerëz që të zhvendosen nga shtëpitë e tyre.

Turqia i ka pranuar në territorin e vet më shumë se 3.6 milionë refugjatë nga Siria që nga fillimi i konfliktit në mars të vitit 2011.

Ndryshe, Turqia dhe Rusia përkrahin grupe rivale në luftën e Sirisë. Përderisa Turqia përkrah rebelët, Rusia përkrah forcat e presidentit Asad, shkruan “Free Europe”.

(Kosova Sot Online)