Shtuni: Dënimet per terrorizëm ne Kosovë janë të ulëta, të kthyerit nga Siria përbëjnë rrezik konstant

  • 24 August 2019 - 21:03
Shtuni: Dënimet per terrorizëm ne Kosovë janë të ulëta, të kthyerit nga Siria përbëjnë rrezik konstant

Shtuni, cili vepron në Washington DC, ka përgatitur një raport që është botuar në revistën e Qendrës së Luftës Kundër Terrorizmit pranë Akademisë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara. Në këtë raport, ndër të tjera, ka gjetje për një grup të shqiptarëve që akoma gjenden në zonat e luftës në Lindje të Mesme.

Përvec strukturave luftarake me burra shqiptarë nga Kosova e Maqedonia e Veriut, Shtuni flet edhe për disa gra të cilat kanë qenë pjesë e luftës në Siri, e që vazhdojnë të jenë rrezik në Kosovë. Ai përmend një nga to, e cila është në proces gjyqësor nën dyshimet të një tentimsulmi ndaj forcave të NATO’s në Kosovë.

Kthimi i tyre në Kosovë, tentimet për t’i deradikalizuar ata, sipas Shtunit, nuk janë gjëra të lehta, e duhen ndihma edhe nga jashtë.

Intervista e plotë:

Z. Shtuni, si e shihni situatën në lidhje me të kthyerit nga Siria dhe Iraku në Kosovë?

Përgjigje: Personat e kthyer nga Siria dhe Iraku (me përjashtim të fëmijëve të vegjël)që kanë pasur lidhje aktive apo pasive me organizata terroriste si Shteti Islamik apo al-Qa’ida përbëjnë shqetësim në aspektin e sigurisë kombëtare për secilin vend ku kthehen. Por, situata është më sfiduese në Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht në Kosovë për dy arsye: numrin e lartë të të kthyerve dhe mangësinë e resurseve, kapaciteteve, dhe ekspertizës së specializuar për t’i trajtuar të kthyeritnë planin afatgjatë, qoftë brenda apo jashtë burgut.

Rajoni i Ballkanit Perëndimor aktualisht ka përqendrimin më të lartë të të kthyerve nga Siria dhe Iraku në Evropë. Zyrtarisht janë 460 individë të kthyer në gjashtë vendet e rajonit, nga të cilët gjysma janë kthyer në Kosovë. Më saktësisht, me 134 të kthyer nga Siria dhe Iraku për milion banorë Kosova ka përqëndrimin më të lartë në rajon. Maqedonia e Veriut është e dyta me 42 të kthyer për milion banorë. Vende të tjera ne Evropë që kanë kontribuar disa nga numrat më të lartë të luftëtarëve të huaj si Franca, Gjermania apo Mbretëria e Bashkuar kanë midis 4-6 të kthyer për milion banorë.

Diferenca e madhe e këtyre numrave e bën të qartë shkallën e rrezikshmërisë në aspektin e sigurisë dhe sfidën sociale me të cilat rajoni do të vazhdojë të përballet për një kohë të gjatë. Kjo sidomos nëse kihet parasysh se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe posaçërisht Kosova kanë mundësi shumëfish më modeste se vëndet e tjera të Evropës Perëndimore të prekura nga ky fenomen sa i përket aspektit socio-ekonomik, të kapaciteteve, dhe ekspertizës së specializuar.

Për t’u përballur me këtë sfidë në mënyrë të efektshme duhet që autoritetet ligjzbatuese dhe njësitë e specializuara (si për shembull Divizioni për Parandalim dhe Riintegrim në Kosovë), të cilat kanë bërë një punë të përgëzueshme deri tani, të përkrahen me prioritet në rritjen e kapaciteteve teknike, të nivelit të ekspertizës, dhe resurseve që kanë në dispozicion. Eshtë me rëndësi që kjo të bëhet pa vonesë duke pasur parasysh numrin e madh të të kthyerve dhe faktin se mbi 500 nënshtetas të tjerë të vendeve të Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të mbeten në zonat e luftës në Lindjen e Mesme. Ata kryesisht po mbahen nëpër burgjet dhe kampet e të zhvendosurve nën administrimin e forcave Kurde në Siri, por mund të kthehen në një të ardhme jo të largët.

Së fundmi, qasjet ndëshkuese, rehabilituese dhe riintegruese ndaj të kthyerve nuk do të ishin të efektshme pa kundërvepruar fuqishëm ndaj rrjeteve ekstremiste të dhunëshme radikalizuese dhe rekrutuese që vazhdojnë të veprojnë në rajon. Po ashtu duhet të punohet me komunitetet ku ata po kthehen, në mënyrë që të ulen tensionet e mundshme dhe të ndihmohet riintegrimi. E gjitha kjo nuk mund të ndodhë pa ndihmesë të qënësishme nga organizatat ndërkombëtare të specializuara dhe veçanërisht nga Bashkimi Evropian. E nënvijëzoj se kjo nuk do të ishte ndihmë alternative por themelore.

Pyetje 2: Revista 1843 e The Economist Group ka publikuar kohët e fundit njëintervistë me një ish-luftëtar te ISIS’it të kthyer në Kosovë i cili vazhdon të promovojëradikalizmin dhe kërcënon me sulme, edhe pasi ka vuajtur dënim me burg për tri vjet. Çfarë mendoni për këtë rast?

Përgjigje: Fatkeqësisht kjo nuk është diçka e pazakontë apo e papritur. Raste të tilla ka kudo por statistikisht deri më tani numri i luftëtarëve të kthyer nga Lindja e Mesme të përfshirë në aktivitete të drejtpërdrejta terroriste (të njohura publikisht) është i kufizuar. Gjithsesi është herët të gjykohet trendi pasi një pjesë e mirë e luftëtarëve të kthyer deri pak kohë më parë kanë qënë duke vuajtur dënimin në burgje.

Rasti i të intervistuarit nga Revista 1843 (dhe mjaft media të tjera) tregon qartë se masat ndëshkimore apo dënimet me burg nuk kanë aftësi të garantuara korrektuese dhe nuk mjaftojnë për të ulur rrezikshmërinë që paraqesin individët e përfshirë në aktivitete terroriste. Aq më tepër kur dënimet janë relativisht të ulëta dhe nuk shoqërohen me programe rehabilituese (brenda dhe jashtë burgut) dhe riintegruese në shoqëri. Përgjithësisht vëndet e Ballkanit kanë disa prej dënimeve mesatarisht më të ulëta në Evropë për veprimtari terroriste.

Në bazë të eksperiencës në vende të tjera, këto programe rehabilituese mund t’i rrisin gjasat e rezultateve pozitive. Gjithsesi, këto programe nuk mund të imponohen nëse personi nuk pranon t’i nënshtrohet atyre. Faktikisht nuk ka një zgjidhje definitive për këtë problem. Disa prej të kthyerve do të vazhdojnë të mbështesin ideologjinë dhe organizatat ekstremiste të dhunshme dhe të përbëjnë burim konstant rreziku. Përtej rrezikut të përgjithshëm, ekspertët duhet të monitorojnë vazhdimisht aktivitetet e këtyre personave për të përcaktuar nivelin e kërcënimit specifik.

Përveç rrezikshmërisë që rrjedh prej bindjes ideologjike, disa individë mund të jenë kthyer nga lufta me trauma, apo mund të kenë probleme psikologjike që ndoshta nuk janë diagnostifikuar më herët. Këto raste mund të sjellin si rezultat rrezikshmëri shoqërore të formave jo domosdoshmërisht të lidhura me terrorizmin në thelb. Pra duhet diagnostifikim specifik për secilin rast në mënyrë që t’i përafrohemi sa më shumë një qasje dhe kure të efektshme. 

Pyetja 3: Sipas informatave që kemi ka edhe gra që kërcënojnë për kryerje të akteve terroriste apo janë të implikuara në planifikimin e tyre. Çfarë mund të bëhet me ato që kane treguar vazhdimisht vullnet për pjesëmarrje në veprimtari terroriste? 

Përgjigje: Pavarësisht se historikisht pjesa më e madhe e individëve të përfshirë në aktvitete terroriste i përkasin gjinisë mashkullore, numri i femrave nuk ka qenë i vogël.Interpretimi se gratë kanë përfunduar në Lindjen e Mesme për shkak të burrave të tyre që i kanë detyruar ose i kanë mashtruar ato që të udhëtojnë për në Siri është një përgjithësim i ngritur mbi anekdoda. Në këtë rast, portretrizimi i përgjithshëm i grave si viktima jo vetëm që është faktikisht i pasaktë por edhe nënçmues. Megjithëse kryesisht nuk kanë marrë pjesë aktive në luftime të armatosura, mjaft gra nga Ballkani Perëndimor kanë radikalizuar dhe rektrutuar aktivisht në emër të organizatave terroriste të cilave i janë bashkuar dhe i kanë mbështetur në aspektin ideologjik, financiar, logjistik, etj.

Mbështetja dhe pjesëmarrja ka ndodhur jo vetëm me shkuarjen fizikisht në Siri dhe Irak. Për shembull një grua nga Kosova është aktualisht duke u gjykuar ne lidhje me rastin e sulmit terrorist të pretenduar ndaj forcave të NATO-s në Kosovë, që u parandalua në Qershorin e vitit te kaluar. Pikërisht për këtë, çdo person duhet fillimisht të vlerësohet individualisht në bazë të provave që ekzistojnë, pa marrë parasysh paragjykimet gjinore apo klishetë. Qasja e mëtejshme ndaj çdo personi do të duhet të përcaktohet nga specifikat e rastit. Hapi tjetër është përcaktimi nëse personi në fjalë është i gatshëm të heqë dorë nga përdorimi i mjeteve të dhunshme terroriste për qëllime ideologjike dhe t’i nënshtrohet programeve rehabilituese. 

Pyetja 4: Ju para pak ditësh keni botuar një raport që flet ndër të tjera edhe për një grup shqiptarësh që mbetet aktiv në frontin e luftës në Siri. A mund të na tregoni për këtë grup?

Përgjigje: Një nga gjetjet e hulumtimit tim është seaktualisht prania aktive e luftëtarëve nga Ballkani Perëndimor në Siri dhe Irak është në nivelet më të ulëta që prej vitit 2012. Aktualisht dy të tretat e atyre që mbeten në zonat e luftës janë të mitur dhe gra. Njësitet luftarake të luftëtarëve të huaj nga Ballkani Perëndimor që luftonin në kuadër të ashtuquajturit Shtet Islamik duket se nuk janë më aktive. Kjo për shkak se një numër i madh i luftëtarëve që nuk janë kthyer në vendlindje, janë vrarë në luftime ose janë dorëzuar te Forcat Demokratike Siriane.

Vetëm një njësi e organizuar luftarake me shqiptarë etnik që është pjesë e Hay’at Tahrir al-Sham (më parë e njohur si Jabhat al-Nusra) mbetet aktive në zonën e Idlibit, në Sirinë veri-perëndimore. Kjo është një njësi ushtarake relativisht e vogël por e mirëpërgatitur ushtarakisht dhe udhëhiqet nga një nënshtetas i Maqedonisë Veriore, që është figurë me influencë dhe këshilltar i ngushtë i Abu Muhammad al-Julanit, udhëheqësit të Hay’at Tahrir al-Sham.        

Pyetja 5: Si e vleresoni mundësinë dhe nivelin e rrezikshmërisë që pasi të lirohen në Kosovë, shtetasit kosovarë të provojnë t’i ribashkohen grupeve terroriste në Lindje të Mesme?

Përgjigje: Nuk mund të përjashtohet mundësia që persona të cilët kanë kryer dënimin me burg për veprimtari terroriste do të tentojnë t’i bashkohen sërish organizatave terroriste aktive në Lindjen e Mesme apo të ndërmarrin aktivitete terroriste në vend, rajon, apo diku tjetër. Në fakt ka mjaft raste ne vënde të tjera që individë të dënuar për pjesëmarrje në luftëra të huaja me organizata terroriste pasi kanë dalë nga burgu janë kyçur serish në aktivitete të ngjashme. Po ashtu, në Kosovë ka pasur raste ku personat e kthyer nga Siria pasi janë vënë në arrest shtëpie kanë mundur të kthehen në Siri për tu ribashkuar me organizata terroriste.

Aktualisht, gjasat që dikush të arrijë të udhëtojë sërish në Siri janë krahasimisht mjaft më të ulëta se më parë për shkak të: humbjes së territorit në Siri dhe Irak nga ana e të ashtuquajturit Shteti Islamik, intensifikimit të kontrollit kufitar nga Turqia dhe vendet e tjera tranzit, dhe adoptimit të masave parandaluese dhe kriminalizuese nga vendet e Ballkanit Perëndimor për ndalimin e udhëtimit të nënshtetasve të tyre në zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Gjithsesi, suksesi në parandalimin e udhëtimeve të individëve të radikalizuar në mënyrë të tërthortë shton rrezikshmërinë në vend, pasi mosarritja e qëllimit të udhëtimit për në fushëbeteja mund t’i bëjë ata të kryejnë akte terroriste në vend apo rajon. Kjo ka ndodhur për shembull me njërin prej pjesëmarrësve të grupit të arrestuar për përgatitjen e sulmit terrorist të pretenduar ndaj forcave të NATO-s në Kosovë, që u parandalua në Qershorin e vitit të kaluar.

Përballja me këtë rrezikshmëri të shtuar sërish vë në dukje më qartë nevojën për rritje të resurseve, kapaciteteve dhe ekspertizës për të monitoruar dhe punuar nëpërmjet programeve të posatçme për shkëputjen nga dhuna terroriste si nëpër burgje ashtu edhe jashtë tyre. Në këtë situatë, asistenca e bollshme e organizatave ndërkombëtar dhe veçanërisht e Bashkimit Evropian është e domosdoshme, jo vetëm si iniciativë për të ndihmuar Kosovën apo Ballkanin por si investim strategjik në sigurinë tërësore të Evropës, pjesë përbërëse e së cilës është edhe Ballkani.

(Kosova Sot Online)