Bahtiri kujton kohën kur Molliqaj i ndihmoi të lidhë koalicion me degën e VV’së në Mitrovicë

  • 25 August 2019 - 19:29
Bahtiri kujton kohën kur Molliqaj i ndihmoi të lidhë koalicion me degën e VV’së në Mitrovicë

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, së fundi ka lënë partinë e tij AKR dhe ka aderuar në Lëvizjen Vetëvendosje.

Kjo lëvizje e tij ka marrë kritika të shumta, e njëri ndër këta kritikë ka qenë anëtari i PSD’së Dardan Molliqaj.

“Agim Bahtiri në VV nuk qenka mandat i vjedhur. Rrafsh 2 vjet na patën lodhur me akuzën e vjedhjes së mandateve. Dhe fundi po e rikuptimëson fillimin. Ata ia bëjnë qefin vetes se janë të parët në Kosovë. Ama janë të parët vetëm për hipokrizi, për asgjë tjetër.”, kishte shkruar ish-anëtari i Vetëvendosjes në një reagim në Facebook.

Por Bahtiri ka folur për Molliqajn në një komunikatë zyrtare të tij pas aderrimit në subjektin e ri.

“Aderimi im dhe i qindra aktivistëve e simpatizantëve nga AKR-ja në Lëvizjen Vetëvendosje, duket se i ka vënë në siklet ata që patën dëshirë ta shkatërrojnë këtë subjekt politik dhe shpresën për ndryshim me në krye Albin Kurtin”, ka thënë Bahtiri.

“Edhe pse personalisht nuk jam marrë shumë me reagimet e ndryshme që po ndodhin ditëve të fundit, mirëpo më vjen keq për atë që ka shkruar njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt në VV që e kam pasur gjatë qeverisjes time në mandatin e parë, z. Dardan Molliqaj”

“Unë i jam falënderues për punën e jashtëzakonshme që ka bërë për lidhjen e koalicionit të VV-së më mua si kryetar komune në vitin 2016, ku z. Molliqaj ishte personi kryesor që e ka negociuar marrëveshjen dhe që e ka vlerësuar lartë punën time, ku ndër të tjera pat thënë: “E kemi vlerësuar qëndrimin e tij dhe e vlerësojmë edhe sot, besojmë që është i vetmi person në institucionet e Republikës së Kosovës që ka pas një qëndrim të drejtë, të dinjitetshëm dhe të fuqishëm”.

Bahtiri është në mandatin e tij të dytë si kryetar i komunës së Mitrovicës Jugore. 

(Kosova Sot Online)