Paralajmërimi i tmerrshëm për qeverinë e re në Kosovë: Ky është mandati i saj special

  • 26 August 2019 - 07:40
Paralajmërimi i tmerrshëm për qeverinë e re në Kosovë: Ky është mandati i saj special

Qeveria e ardhshme në Kosovë do ta ketë qëllimin kryesor miratimin e marrëveshjes Thaçi-Vuçiq. Është pikërisht Hashim Thaçi ai i cili po orkestron koalicionet parazgjedhore, por edhe ato paszgjedhore...

Në vjeshtën e këtij viti në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit.

Image

Sipas analistëve politikë, qeveria e ardhshme sërish pritet të jetë qeveri me afat të mandatit të shkurtuar dhe me të vetmin qëllim, që të përfundojë pazari Thaçi-Vuqiq, për t`ia dhënë Veriun Serbisë. Analistët thonë se është pikërisht Thaçi nga prapaskena, ai i cili po orkestron të gjitha koalicionet parazgjedhore, por edhe ato paszgjedhore, për ta arritur qëllimin për ndarjen e Kosovës, pasiqë është e vetmja kartë që do ta shpëtojë nga Gjykata speciale.

Analisti politik, Florim Zeqa thotë për “Kosova Sot Online”, se edhe këto zgjedhje nuk do të sjellin asnjë ndryshim, por do të tentohet sigurimi i shumicës në Kuvend që miraton marrëveshjen Thaçi-Vuçiq për ndarjen e Kosovës.

“Vetë procesi i parakohshëm zgjedhor që po ndodh në Kosovë është produkt i presionit ndërkombëtar për finalizimin e dialogut të Brukselit, kur dihet mirëfilli se një qeveri me 52 deputet në kuvend ishte e pafuqishme për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, me theks të veçantë të marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Andaj qëllimi i këtyre zgjedhjeve nuk është ndryshimi siç po mendohet nga disa subjekte politike dhe disa miop politik, por është sigurimi i shumicës në Kuvend që miraton marrëveshjen Thaçi-Vuçiq për ndarjen e Kosovës”, shprehet Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, është pikërisht Hashim Thaçi ai që po i orkestron të gjitha koalicionet parazgjedhore por edhe ato paszgjedhore.

“Qeveria e ardhshme do të jetë qeveri me afatin më të shkurtër që ka mandatin special për finalizimin e marrëveshjes politike me Serbinë, përkatësisht për përfundimin e pazarit Thaçi-Vuçiq, për t'ia dhënë veriun Serbisë. Meqë është kështu, është njëri nga protagonistët kryesor të dialogut të Brukselit që është duke e kontrolluar çdo lëvizje dhe veprim politik, është pikërisht Thaçi nga prapaskena, ai i cili po orkestron të gjitha koalicionet parazgjedhore por edhe ato paszgjedhore, për ta arritur qëllimin për ndarjen e Kosovës, pasiqë është e vetmja kartë qe do ta shpëtoj nga përballja me Gjykatë Speciale, gjykatë kjo e mandatuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe Kuvendi i Kosovës”, shton Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas Zeqës, tashmë po vërtetohet se shkaku i dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj nuk ishte ftesa nga Gjykata Speciale.

“Bazuar në këto rrethana dhe mungesën e një alternative të re politike, do të ishte iluzive të pritej çfarëdo ndryshimi tjetër nga këto zgjedhje të orkestruara ku qëllimi i tyre dihet paraprakisht. Janë këto zgjedhje që po e vërtetojnë se shkaku i dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj nuk ishte ftesa nga Gjykata Speciale, si dhe as taksa "100 %" që nuk ishte shkak i ndërprerjes së dialogut, por ishte mungesa e mbështetjes së pazarit Thaçi-Vuçiq në Kuvendin e Kosovës. Zgjedhjet e orkestruara do të nxjerrin aleatin e ri (të vjetër) që do të mbështet marrëveshjen finale (fatale për Kosovën), ashtu siç e ka mbështet paraprakisht marrëveshjen për Decentralizimin (etnik), "Zajednicën", për Gjykatën Speciale, për Demarkacionin me Malin e Zi e një varg marrëveshjesh tjera të dëmshme për Kosovën”, përfundon për “Kosova Sot Online”, analisti politik, Florim Zeqa.

(Kosova Sot Online)