Haradinaj pas vizitës tek varri i Rugovës: Sovraniteti dhe integriteti i Kosovës për të ishin të panegociueshme

  • 26 August 2019 - 11:25
Haradinaj pas vizitës tek varri i Rugovës: Sovraniteti dhe integriteti i Kosovës për të ishin të panegociueshme

Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sot ka bërë homazhe tek varri i presidentit Ibrahim Rugova.

Kreu i AAK-së thotë se vizioni i Rugovës për paprekshmërinë e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës shërben si pikënisje edhe sot, dhe sipas tij ato parime janë të panegociueshme.

“Vizioni politik i presidentit Rugova përveç që është vlerë e patjetërsueshme, na shërben edhe si pikënisje, se sovraniteti dhe integriteti i shtetit, janë parime të paprekshme dhe të panegociueshme”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka përmendur edhe angazhimin politik të Rugovës për orientimin e Kosovës djrejt perëndimit.

“Në shenjë nderimi për angazhimin e tij jetësor për shtet të pavarur e paqësor, si dhe orientimin properëndimor të Kosovës, sot, kam bërë homazhe te varri i Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova”, ka shtuar tutje Haradinaj.

Ish-kryeministri gjithashtu ka treguar se ka takuar edhe familjen e presidentit Rugova si shenjë e respektit të ndërsjellë.

“Poashtu, në një vizitë miqësore ndava disa çaste me familjen e respektuar Rugova, një traditë e marrëdhënies së mirë dhe e respektit të ndërsjellë”, përfundon Haradinaj.

(Kosova Sot Online)