Shqiptari që u mor peng kishte shkuar në Greqi, e kapën teksa rrinte në stacion. Policia greke jep detajet

  • 26 August 2019 - 11:57
Shqiptari që u mor peng kishte shkuar në Greqi, e kapën teksa rrinte në stacion. Policia greke jep detajet

Policia e Shtetit zbardhi sot ngjarjen që raportuan të shtunën mediat greke, ku një person ishte marrë peng nga bashkëkombasit e tij dhe i kërkoheshin 10 mijë euro. Policia shqiptare thotë se për këtë pengmarrje sinializimi ishte në Tiranë.

Në një deklaratë këtë ët hënë edhe nga policia greke pas super operacionit të përbashkët mes dy vendeve, jepen disa detaje shtesë.

“Ne datën 23 gusht në darkë janë arrestuar 4 shtetas shqiptare, 3 meshkuj 19, 41 dhe 49-vjec dhe nje femer 35-vjece.

Konkretisht, 49-vjecari i arrestuar ne dt 22 gusht mori tek stacioni i autobusave ne Lutraki, Korinthia nje shqiptar 31-vjec, i cili me pas u mbajt peng ne nje banese ne Nemea, Korinthia dhe nen ushtrimin e dhunes i kerkohej 10.000 euro.

Pas njoftimit nga Interpol, me dt.23 gusht u organizua operacioni dhe u lirua pengu e u arrestuan autoret”, tha policia greke sot.

Deklarata nga Policia e Shtetit

Operacion policor ndërkombëtar mes Policisë së Tiranës, Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Departamentit të Policisë Kriminale në P.SH dhe Policisë greke, me ndërmjetësimin e Interpol Tirana

Finalizohet operacioni policor i koduar ”Korinthos”, iniciuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.

Arrestohen 5 shtetas të dyshuar si autorë të pengmarrjes së një shtetasi, nga këta 1 i arrestuar në Shqipëri dhe 4 në Greqi.

Falë inicimit nga Policia e Tiranës, dhënies së informacionit në kohë reale Policisë greke me adresën e saktë të vendndodhjes së pengmarrësve dhe mbajtjes së pengut, Policia greke bëri të mundur lirimin e pengut dhe arrestimin e katër shtetasve.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë morën informacion se në një fshat të Korinthos, Greqi, disa shtetas shqiptarë për motive të dobëta kishin marrë peng një shtetas nga Tirana dhe i kërkonin 10.000 euro për ta lënë të lirë.

Pas një hetimi disaditor duke përdorur metodat speciale të hetimit, Sektori i Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë dhe Policinë greke, me ndërmjetësimin e Interpol Tirana, finalizoi me sukses operacionin policor ndërkombëtar “Korinthos”.

Policia e Tiranës, falë informacionit të grumbulluar për vendndodhjen e saktë të autorëve dhe vendit ku mbahej peng shtetasi J.T., i ka dhënë nëpërmjet Interpol Tirana, Policisë greke informacion të saktë në kohë reale mbi vendndodhjen (adresën e banimit) të personit të marrë peng dhe pengmarrësve.

Policia greke mbi bazën e informacioneve të marra nga Policia e Shtetit bëri të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasve:

Xh.N., 49 vjeç, banues në Tiranë.

H.M., 35 vjeçe, banuese në Tiranë.

B.M., 41 vjeç, banues në Tiranë.

M.M., 19 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu, si rezultat i ndërhyrjes në kohë është bërë i mundur lirimi i pengut, shtetasi J. T., banues në Tiranë.

Po në vijim të operacionit Policia e Tiranës bëri kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit:

L. P., 24 vjeç, banues në Tiranë, (bashkëpunëtor)

Policia e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë vazhdon punën intensive për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

Materialet do i kalohen për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë për Krime të Rënda, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë“ e kryer në bashkëpunim.

(Kosova Sot Online)