Prapaskena, ‘lufta’ e ashpër brenda LDK-së, kush do të fitojë?

  • 26 August 2019 - 13:15
Prapaskena, ‘lufta’ e ashpër brenda LDK-së, kush do të fitojë?

Kush do të jetë kandidati për kryeministër nga LDK dhe çfarë ‘lufte’ po zhvillohet brenda LDK-së....

Lidhja Demokratike e Kosovës do të mblidhet sot për të vendosur se kush do të jetë kandidat i saj për kryeministër në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen në Kosovë, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit.

Por sipas analistëve politikë, brenda LDK-së është duke u zhvilluar një luftë e ashpër lidhur me atë se kush do të jetë kandidat i saj për kryeministër, ku deri më tani emrat më të përfolur janë Kujtim Shala, Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri.

Për me keq, ky i fundit se bashku me Agim Veliun, bojkotuan të premten mbledhjen e kryesisë, e në të cilën thuhet se do të nominohej Vjosa Osmani si kandidate për kryeministre të Kosovës.

E lidhur me zhvillimet e fundit në LDK, për “Kosova Sot Online”, ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Gani Qarri.

Image
Gani Qarri

“Taktika e rafinuar dhe finoke e Isa Mustafës për të mos lejuar askënd që t`ia zinte vendin atij dhe rivendoset sërish vet në krye të partisë, jo vetëm se i befasoi tepër por edhe ua prishi tërësisht planet, veçanërisht Agim Veliut dhe Lutfi Hazirit, të cilët ka kohë që ëndërronin të vinin në këtë post. Madje megjithëse ata sikur dukeshin gati plotësisht të sigurt dhe proklamonin pothuajse hapur për muaj të tërë, se ishin të gatshëm për ta marrë në duart e veta timonin e LDK-s, jo vetëm se nuk arritën, njëri as tjetri në këtë pozitë, por kreu dredharak i LDK-s, Isa Mustafa, pa pritë e pa kujtuar, i la ata tërësisht "me gishta në gojë", duke mos i përfshi fare, as në kryesinë e re të LDK-s, në të cilën u emëruan edhe emra pothuajse tërësisht të panjohur për publikun”, thotë Qarri për “Kosova Sot Online”. 

Sipas tij, tashmë shihet qartë se po zhvillohet një luftë brenda LDK-së edhe më e ashpër dhe me pasoja më të rënda për emrin e kandidatit për kryeministër.

“Por megjithatë edhe përkundër faktit se dy nga emrat më të përfolur, që deri më tani, mendoheshin si njerëzit më të fuqishëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu e Lutfi Haziri, përfundimisht u dorëzuan pa kurrfarë rezistence përballë Isa Mustafës, brenda LDK-s, shihet qartë se lufta për të parin e partisë nuk ishte e vetmja betejë, dhe tanimë po zhvillohet një luftë edhe më e ashpër dhe me pasoja më të paparashikuara, për emrin e kandidatit për kryeministër. Ndaj nga droja se pas tradhtisë së Isa Mustafës dhe rrëzimit të marrëveshjes të cilën përflitej se ata kishin arritur me Isën, që Agim Veliu të zgjidhej kryetar i partisë e Lutfi Haziri të emërohej kandidatë për kryeministër, frika se lufta e brendshme për këtë pozitë, do ta ndajë përfundimisht partinë në dysh, gjë që ka gjasa reale edhe të ndodhë, ka bërë që LDK, ende të mos mund të përcaktohet se kush në të vërtetë do të jetë kandidat i saj për kryeministër”, shton Qarri për “Kosova Sot Online”.

“Për aq më tepër, bojkoti i mbledhjes se kryesisë, nga tandemi në fjalë dhe dy ish nënkryetarët e demoduar të LDK-s, Agim Veliu e Lutfi Haziri, shton gjasat që edhe në këtë parti, pas moszgjidhjes së problemeve të brendshme, përkundër përdorimit të karrigeve, si mjete shtesë dhe metoda ndihmëse për mbarëvajtjen e tubimeve "demokratike", ala-LDK, të përsëritet skenari i VV-s, dhe përfundimisht të krijohet një fraksion i ri, apo ndahet edhe praktikisht në dysh edhe LDK, e cila pas përjashtimit nga kryesia edhe të tre kuadrove pothuajse kryesor nga Rrafshi i Dukagjinit, si Arben Gashi, Armend Zemaj dhe Driton Selmanaj, gati edhe ashtu është kthyer në klub nate të Isa Mustafës dhe dostave të tij nga Llapi e Gollaku”, përfundon për “Kosova Sot Online”, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Gani Qarri.

(Kosova Sot Online)