Kërkohet shkarkimi i Këshillit Drejtues të Muzeut Kombëtar

  • 26 August 2019 - 13:29
Kërkohet shkarkimi i Këshillit Drejtues të Muzeut Kombëtar

Sindikata e Muzeut Kombëtar të Kosovës pas zhvillimeve që kanë ndodhur në këtë institucion me emërimin e drejtorit dhe më pas anulimin e konkursit, i ka bërë thirrje ministrit në detyrë, Kujtim Gashit ta shkarkojë urgjentisht Këshillin Drejtues aktual, për shkeljet me rastin e zhvillimit të procedurave të rekrutimit për drejtor të MKK-së, të kërkojë anulimin e konkursit për drejtor të MKK-së dhe të ndalen emërimet partiake të cilat e degradojnë institucionin më të lartë të identitetit të trashëgimisë kulturor.

Kjo sindikatë po ashtu ka kërkuar nga ministri që të fillojë me rishikimin e dokumenteve ligjore që kanë të bëjnë me rregullimin e veprimtarisë profesionale dhe shkencore në Muzeun Kombëtar të Kosovës

Sipas sindikatës, zgjedhja e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës nuk është bërë mbi  bazën e respektimit të procedurave ligjore dhe përforcuan së kandidatëve, por mbi baza partiake dhe nepotike, duke shkelur mbi parimet ligjore të përcaktuara me ligjet në fuqi.

“Ky proces fillojë të degradohet nga periudha e hartimit të rregullores  15/2018 për gradat dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesional të trashëgimisë kulturore dhe me theks të veçantë statuti i MKK-së, i cili është hartuar dhe miratuar pa konsultimin e punëtorëve të MKK-së  dhe si i tillë është i hartuar me përmbajtje komplet politike. Gjatë gjithë procesit të rekrutimit kishte shkelje në zhvillimin e procedurave si procesi i rekrutimit në karrierë i zhvilluar si procedurë e parë, nuk është zhvilluar sipas procedurave të rregullores nr. 21/2012 për Avancimin në Karrierë të Nëpunësve Civil. Organizimi i testit me shkrim kishte karakter selektues, duke hartuar pyetje jo profesionale të pa-artikuluara drejtë dhe me tendencë të manipulimit politik. Po ashtu edhe vlerësimi i testit u manifestua me ndërhyrje të plotë politike. I gjithë procesi degradoi me organizimin e intervistës dhe rrjedhimisht me publikimin e rezultateve përfundimtare, ku është caktuar Drejtor i MKK-së,  anëtari i PDK-së dega në Drenas, kandidati me përformancë më të dobët dhe jo-profesional, në kundërshtim me statutin të cilin e kishin  përpiluar vet Këshilli Drejtues i MKK-së”, thuhet në reagim.

Kryesia e Sindikatës vlerëson se Muzeu vazhdon të mbetet në udhëkryqe, duke u ofenduar dhe degraduar në mënyra dhe forma të ndryshme nga partitë politike të cilat e drejtuan MKRS-në, e së fundi edhe nga PDK-ja.

Sindikata e Punëtorëve të Muzeut Kombëtar të Kosovës, përmes kësaj shkrese rikonfirmon edhe një herë se në rast të mosplotësimit të kërkesave të lartcekura do të vazhdoi të kërkoi respektimin e kërkesave në fjalë përmes rrugës ligjore dhe formave tjera protestuese.

(Kosova Sot Online)