Policia greke arreston 100 imigrantë

  • 26 August 2019 - 15:31
Policia greke arreston 100 imigrantë

Policia e Greqisë i ka arrestuar rreth 100 persona në disa operacione që u realizuan në orët e hershme të së hënës në Athinë. Lajmin e bëri të ditur agjencia shtetërore e lajmeve, AMNA.

Dhjetëra policë hynë në zonat e uzurpuara për disa javë me radhë nga imigrantët në lagjen Exarcheia të Athinës.

Qeveria konservatore e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, i cili erdhi në pushtet muajin e kaluar, është zotuar se do ta kthejë rendin në këtë district dhe ka premtuar patrulla të rregullta policore në kryeqytet.

Kjo lagje ka qenë shpesh vend i përleshjeve mes anarkistëve dhe policisë, sidomos nga viti 2008 e tutje, kur një i ri ishte vrarë nga policia.

Kryetari i ri i Athinës, Kostas Bakoyannis, i cili e bëri betimin të dielën, është zotuar se do ta bëjë sigurinë prioritet kryesor të mandatit të tij. Ai e ka akuzuar qeverinë e kaluar majtiste për qasje të butë ndaj vandalizmit, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)