Zbulohet qëllimi kryesor i Hashim Thaçit me qeverinë e re, vjen paralajmërimi i rëndë nga SHBA

  • 27 August 2019 - 07:26
Zbulohet qëllimi kryesor i Hashim Thaçit me qeverinë e re, vjen paralajmërimi i rëndë nga SHBA

Hashim Thaçi, po konsiderohet edhe më tej si rreziku kryesor për Kosovën. kërkesa kryesore për qeverinë e ardhshme është shkarkimi i Thaçit nga posti i Presidentit...

Zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit, nuk pritët të sjellin asnjë ndryshim në Kosovë.

Madje, analistët japin alarmin se qeveria e ardhshme sërish pritet të jetë qeveri me afat të mandatit të shkurtuar dhe me të vetmin qëllim, që të përfundojë pazari Thaçi-Vuqiq, për t`ia dhënë Veriun Serbisë. Analistët thonë se është pikërisht Thaçi nga prapaskena, ai i cili po orkestron të gjitha koalicionet parazgjedhore, por edhe ato paszgjedhore, për ta arritur qëllimin për ndarjen e Kosovës, pasiqë është e vetmja kartë që do ta shpëtojë nga Gjykata Speciale.

Image

Duke folur lidhur me këtë, analisti i njohur që jeton dhe vepron në SHBA, Ramiz Bojaj thotë se tema parësore e qeverisë së re duhet të jetë shkarkimi i Thaçit nga posti i presidentit, e jo marrëveshja finale me Serbinë.

“Pas zgjedhjeve të reja që po vijnë, Qeveria e porsaformuar, kryetemë parësore duhet të ketë nismën e shkarkimit të presidentit Hashim Thaçi nga pozicioni i të parit të shtetit. Kjo nga fakti, se për aq kohë sa presidenti aktual është në pozitën e të parit të shtetit, Kosova është e rrezikuar nga regresi, izolimi e copëtimi. Nën pushtetin e PAN-it, populli i Kosovës ka përjetuar kataklizmën më të rëndë politike në gjithë historinë e vet të pas lirimit. Populli shqiptar i Kosovës për 20 vjet me radhë është mashtruar, është vjedhur, është shtypur e keqtrajtuar, për të arritur në fund: dëbimin e tij nga atdheu stërgjyshor. Populli është i shkatërruar, i dërmuar e i pashpresë”, shprehet Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Sipas Bojajt, pavarësisht kësaj, partitë klienteliste të SHIK-PAN-it, do të përpiqen që të krijojnë blloqe për të penguar reformimin rrënjësor në politikëbërjen e Kosovës, si dhe do të mbrojnë me çdo kusht klanet e egra nepotiste mafioze e kriminale të cilat kanë sunduar që nga paslufta.

“Krahas kësaj, presidenti Thaçi me klanet e cekura, do të përpiqet të monopolizojë gjithë spektrin politik në Kosovë, kinse për një marrëveshje finale me Serbinë, e cila, tashmë është demaskuar botërisht se është ideuar, projektuar e hartuar nga Aleksandri i Serbisë. Pra, ky duket të jetë edhe misioni kryesor i Hashim Thaçit, për të kurorëzuar planin serb më lëvizje kufijsh e me lëvizje të popullsisë, thjeshtë duke hapur një vatër të re lufte. Projekti i shtetit të Kosovës është i mbyllur më 1999 i rikonfirmuar me 2008, e cila ka konfiguracion ndërkombëtar, e njohur nga 115 shtete, e forcuar edhe nga GJND-ja, me kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, si dhe me Kushtetutën më moderne në historinë e ndërtimit të shteteve”, thekosn Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Më tej, ai thotë se çdo tendencë për ambicie territoriale qon në konflikte e luftë.

“Të drejtat e njeriut për gjithë qytetarët e shtetit të ri, si dhe të drejtat e komuniteteve janë të garantuara maksimalisht në Kushtetutën e Kosovës. Janë kokat e retardfuara me mendësi primitive e me vizione tipike mafioze ato qe kërkojnë të shkojnë përtej kësaj drejtësie juridike e kushtetuese, për të ndërtuar qendra sovrane etnocentrike, të cilat në vend të integrimit të komuniteteve, krijon izolimin dhe rrezikimin e tyre, në vend të demokracisë, krijojnë mure ndarëse e konfliktuoze me pasoja të paparashikueshme. Ndryshe, çdo tendencë për ambicie territoriale qon në konflikte e luftë. Ata që angazhohen për ndryshim kufijsh, ata kanë bërë projektin e luftës, jo të paqes. Paqja 20 vjeçare në Kosovë, është e garantuar brenda këtyre kufijve ekzistues, çdo tendencë për ndryshim, është nismë e një luftë të re”.

Sipas Bojajt, Hashim Thaçi është rreziku kryesor i prishjes së paqes dhe stabilitetit në rajon, dhe si i tillë është i papranueshëm të qëndrojë edhe më tutje në krye të shtetit.

“Është jashtë çdo logjike, të kërkohen ndryshime kufijsh, pa paramenduar për konflikte, spastrime etnike e luftë. Pikërisht për këtë arsye, presidenti Thaçi mbetet rreziku më i madh i prishjes së paqes dhe stabilitetit në rajon, dhe si i tillë është i papranueshëm të qëndrojë edhe më tutje në krye të shtetit. Logjika e luftës ka mbaruar, dhe për këtë duhet hequr qafe edhe 'mohikanin' e fundit të ndezjes së ashkës së kësaj flake. Koncepte tronditëse, konflikti e lufte krijojnë vetëm diktatorët dhe mafiozët. Kosova është shtet demokratik me vizione e synime euroatlantike. Kushdo qe krijon pengesa në këtë rrugëtim, nuk duhet të qëndrojë as 24 orë në pushtet. Thaçi e ka plotësisht gabim, kur mendon se paqen këtu e ndërton me Vuçiqin, Putinin e Erdoganin, duke tentuar t'i mashtrojë miqtë tanë tradicionalë në Evropë e SHBA. Thaçi me aventurat e tij donkishotiane ka tradhtuar interesat kombëtare e shtetërore të Kosovës, duke cenuar ekzistencën e shtetit tonë, ka tradhtuar edhe miqtë tanë ndërkombëtarë, për t'iu bashkuar aleancës lindore dhe akomodimin e interesave të tyre në Ballkan”, shton Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Për fund, Bojaj është shprehur se në krejt këtë skenar, Thaçi nuk është i vetëm, por gëzon përkrahjen nga bashkëpartiakët e tij.

“Presidenti ynë është treguar tejet frikacak, i cili në panik nga Gjykata Speciale, është bërë zëri më vulgar i Serbisë në Kosovë, njeriu më i vrazhdë e më i pabesë këtu. Natyrisht, se Thaçi nuk është i vetëm, sepse prapa vetës ka edhe bashkëpartiakët e tij, të cilët, manovrojnë, shantazhojnë e mashtrojnë për të kurorëzuar planin serb për shkëmbim territoresh. Çdo grupim politik që i bashkohet SHIK-PDK-së, për të avancuar agjendat serbe të presidentit, është pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në rrënimin e Kosovës dhe kurorëzimin e aspiratave shekullore serbe e ruse në Kosovë. Populli i Kosovës këtë nuk duhet ta lejojë asnjëherë. Vendi është dergjur në atë pikë, kur mjaft është mjaft”, përfundon për “Kosova Sot Online”, analisti i njohur që jeton dhe vepron në SHBA, Ramiz Bojaj.

(Kosova Sot Online)