Parashikimi për zgjedhjet në Kosovë: Ja dy koalicionet që do të marrin tronditjen e madhe

  • 27 August 2019 - 07:41
Parashikimi për zgjedhjet në Kosovë: Ja dy koalicionet që do të marrin tronditjen e madhe

Dy koalicionet e krijuara deri më tani në Kosovës, me kandidatët Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn marrin paralajmërimin e rëndë. Analisti politik ka parashikimin e rëndë...

Tashmë kur është caktuar data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë, partitë politike kanë filluar ndërtimin e koalicioneve zgjedhore, ku deri më tani janë krijuar dy aleanca në Kosovë, ajo mes AAK-së dhe PSD-së dhe ajo mes Nisma-s dhe AKR-së. Kurse, LDK, Vetëvendosje dhe PDK ka gjasa që të shkojnë të vetme në zgjedhje.

Image

Sipas analistëve politikë, tashmë partitë në Kosovë kanë filluar të ndahen në blloqe në prag të zgjedhjeve. Por, ata hedhin akuza të rënda ndaj dy koalicioneve të lartpërmendura. Sipas analisti politik, Florim Zeqa, këto dy koalicione janë bashkim i njerëzve me plot skandale.

“Koalicioni AAK-PSD, gjegjësisht i Ramush Haradinajt me Shpend Ahmetin, është bashkimi i dy njerëzve të dështuar me plotë skandale në qeverisjen qendrore dhe lokale. Poashtu, edhe koalicioni tjetër AKR-NISMA, i bashkimit të Fatmir Limajt me Behgjet Pacollin, dy figurave kontroverse politike, i pari i akuzuar për korrupsion e di dyti për shkatërrimin e diplomacisë kosovare”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Zeqa i quan këto koalicione, si koalicione të dështuara që do ta marrin tronditjen e madhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Nga cili këndvështrim të shikohen koalicionet e deritanishme, na dalin të jenë koalicione të dështuara. Janë këto dy koalicione që nuk e motivojnë votuesin për dalje në zgjedhje e lërë më për t'i votuar. Si të tilla çfarë janë këto dy koalicione do të marrin tronditjen më të madhe në zgjedhjet që do mbahen në fillim të vjeshtës së këtij viti. Mbetët të shihet çfarë do të ndodhë me të ashtuquajturat parti të mëdha, se a do të shkojnë të vetme në zgjedhje apo do të kurorëzohen në minutat e fundit para orës 12. Në secilin variant, as koalicionet e partive të mëdha nuk mund të dalin koalicione të qëndrueshme, parimore, të shëndosha dhe shpresëdhënëse për qytetarët e vendit”, shtoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Për fund, Zeqa tha se ndarja e partive politike në blloqe në prag të zgjedhjeve e tregon heterogjenitetin e skenës politike, si dhe dëshmon mosprofilizimin e partive politike.

“Bashkimi në koalicione i partive me orientime të ndryshme dhe të paqarta ideologjike, me pikëpamje programore diametralisht të kundërta, lenë me kuptue se këtu kemi të bëjmë me koalicione interesi personal e jo shtetërorë”, përfundoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)