Macron-i paralajmëron samit të paqes për Ukrainën

  • 27 August 2019 - 10:00
Macron-i paralajmëron samit të paqes për Ukrainën

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se liderët e Rusisë, Ukrainës, Gjermanisë dhe Francës do të zhvillojnë bisedime muajin e ardhshëm me qëllim të përfundimit të konfliktit në lindje të Ukrainës.

“Mendojmë se ekzistojnë kushtet për një samit të dobishëm”, tha presidenti francez në fund të samitit të vendeve të G7-ës, i cili u mbajt në qytetin jugperëndimor francez, Biarritz.

Ai shtoi se bisedimet katërpalëshe, të njohura edhe si formati i Normandisë, do të mbahen në shtator, por nuk përmendi ndonjë datë të caktuar.

Ukraina është futur në konflikt me separatistët e përkrahur nga Rusia në lindje të vendit që nga viti 2014, kur Moska e aneksoi me forcë gadishullin e Krimesë.

Macron-i tashmë është takuar me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, dhe e ka ftuar presidentin rus, Vladimir Putin, në Francë për bisedime para samitit të G7-ës.

Pas takimit me presidentin rus, lideri francez tha se ekziston një mundësi reali për arritjen e paqes në Ukrainë pas zgjedhjes së presidentit të ri të këtij shteti.

Ndryshe, presidenti ukrainas është treguar i gatshëm të takohet me Putinin dhe ka zhvilluar bisedë telefonike me të disa javë më parë, shkruan “Free Europe”.

(Kosova Sot Online)