Shtyhet mbledhja e KQZ-së

  • 27 August 2019 - 11:39
Shtyhet mbledhja e KQZ-së

Mbledhja e KQZ-së e paraparë për sot në ora 11:30 është shtyer për në orën 13:00.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi përmes një komunikate për media.

“Ju njoftoj se mbledhja e KQZ-së e paraparë për në orën 11:30 shtyhet për në orën 13:00”, thuhet në komunikatë.

Ky institucion pritet të mblidhet gjatë ditës së sotme për të marrë vendimet e para që do t’i shërbejnë organizimit të këtyre zgjedhjeve.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se i mbetet anëtarëve të këtij institucioni për të marrë këto vendime

“Në rend të ditës pritet të jenë disa vendime si shkurtimi i afateve kohore të aktiviteteve zgjedhore duke i përshtatur me ditët në dispozicion të KQZ-së, miratimi i Planit Operacional dhe miratimi i buxhetit të planifikuar për këto zgjedhje”, ka thënë Elezi.

Ai ka shtuar se në këtë mbledhje, në mënyrë që KQZ-ja të arrijë të përmbushë të gjitha detyrimet kushtetuese dhe ligjore, do të marrë vendim për zgjatjen e orarit të punës për stafin.

Ndryshe, këto janë zgjedhjet e shtata për Kuvendin e Kosovës që nga paslufta.Deri më tani, që nga shpallja e pavarësisë, të gjitha zgjedhjet parlamentare në Kosovë duke përfshirë dhe këto të fundit ishin zgjedhje të parakohshme. 

(Kosova Sot Online)