Islanda kurrë s’ka qenë më e nxehtë, shqetësuese ngrohja globale

  • 27 August 2019 - 13:41
Islanda kurrë s’ka qenë më e nxehtë, shqetësuese ngrohja globale

Helga Ögmundardóttir është ndier paksa me faj këtë verë. Profesoresha islandeze jeton në bregdetin e Rejkjavikut dhe nuk është mësuar të qëndrojë në ballkonin e saj pa u mbuluar me batanije. Sidoqoftë, këtë vit ajo i ka kaluar me kënaqësi mbrëmjet e veshur me rroba me mëngë të shkurtra.

“Gjendem në oborrin tim dhe kam vapë, sepse temperature është 20 gradë, ndonëse është mesnatë. E ndiej një kënaqësi me faj, sepse e di që është një çështje e madhe, por më duket gjë e bukur dhe dëshiroj të kënaqem”, tha ajo.

Korriku i këtij viti ishte muaji më i nxehtë që është regjistruar ndonjëherë në kryeqytetin islandez, me 1.4 gradë më shumë se temperature mesatare në dhjetë vjetët e kaluar. Prilli, maji dhe qershori ishin gjithashtu më të ngrohtë se zakonisht. 

Peizazhi mahnitës i Islandës me akullnaja dhe ujëvara dhe ekonomia e varur nga burimet natyrore e bëjnë këtë shtet shumë të ndjeshëm ndaj ndryshimeve klimatike. Ndikimi i tyre vërehet gjithkund.

Vera e këtij viti ka qenë aq e nxehtë dhe e thatë, saqë niveli i ujit në Liqenin e Kuq, i cili ndodhet afër kryeqytetit, ra nga 140 në vetëm 70 centimetra. Liqeni tashmë më tepër duket si një moçalishte.

Thatësira ndikoi që edhe lumenjtë e Islandës të kenë më pak peshq të llojit salmon. Asociacioni Kombëtar i Peshkimit tha se peshkatarët kanë zënë përgjysmë më pak peshq të këtij lloj këtë verë, në krahasim me verën e kaluar, shkruan “CNN”.

(Kosova Sot Online)