KQZ jep detaje për kohëzgjatjen e fushatës, tregon sa para i duhen për këto zgjedhje

  • 27 August 2019 - 13:56
KQZ jep detaje për kohëzgjatjen e fushatës, tregon sa para i duhen për këto zgjedhje

Komisioni Qendror Zgjedhor në mbledhjen e mbajtur ka caktuar fushatën zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme.

Kryetarja e këtij komisioni Valdete Daka ka thënë se fushata zgjedhore fillon me 25 shtator.

“Fushata Zgjedhore fillon me 25 shtator, përfundon me 4 tetor. Janë dhjetë ditë fushatë. Po ashtu aplikimi për regjistrim si votues jashtë Kosovës fillon me 30 gusht deri me 10 shtator”, ka thënë Daka.

Ndryshe për këto zgjedhje sipas KQZ-së nevojiten rreth 6 milion euro, ku ky Komision ka kërkuar nga institucionet të mos vonohet alokimi I këtyre mjeteve.

Ilir Gashi nga Këshilli për Buxhet dhe Financa në KQZ, ka thënë se sipas analizave, këtij institucioni i duhen mbi 5 milionë euro për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Ai tutje ka shtuar se çështja e buxhetit duhet të trajtohet sa më shpejt dhe institucionet nuk duhet t’i vonojnë mjetet.

“Kemi trajtuar buxhetin që na duhet, mbi 5 milionë euro. Duket një rritje e kërkesës së buxhetit sepse është konsideru rritja e pagesave për trajnerë, kryesues të qendrave të votimit. Duhet të trajtohet sa më shpejtë sepse institucionet nuk duhet të na vonojnë për mjetet “, ka thënë ai.

Enis Halimi, kryeshef i sekretariatit të KQZ-së ka thënë se nuk mund të bëjnë asnjë procedurë pa u alokuar mjetet. 

Ai thotë se kanë kontaktuar edhe me Ministrinë e Financave, por se as ata nuk e kanë të qartë se si do të veprojnë.

“Ne s’mund të bëjmë asnjë procedurë për tu furnizuar pa u alokuar buxheti. është e kotë të shpallen zgjedhjet e sot të miratohet buxheti pa pasur mjete. Kemi kontaktu me Ministrinë e Financave por as ata nuk e kanë të qartë si të veprojnë. S’mund të fillojë asnjë procedurë të furnizimit. Të ndërmerret ndonjë hap sepse është e kotë të merren vendime”, ka thënë ai.+

Ndërkaq kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se janë në pritje të buxhetit.

“Presim që ky buxhet i kërkuar të alokohet për ne. Nëse s’kemi para. i zhvillojmë procedurat vetëm deri aty ku na mundësojnë procedurat ligjërisht”, ka thënë ai.

Gjatë mbledhjes gjithashtu KQZ ka miratuar kërkesën ndaj Qeverisë për ndarjen e 5 milionë eurove.

Adnan Rrustemi, nga LVV ka thënë se do të mbajnë përgjegjësi t]ë gjithë ata që do ta pengojnë procesin e organizimit të zgjedhjeve.

Rrustemi ka shtuar se ka pasur diskutime për afatin e fushatë zgjedhore por që, sipas tij, ende nuk është përcaktuar. Ka thënë se ka pasur vlerësime se fushata duhet të zgjasë 10 ditë.

Ndërkaq Sami Hamiti nga LDK ka thënë se nuk ka arsye të mos merret vendimi për buxhetin, pasi që sipas tij, ka mjete.

“Situata nuk është e ndryshme sepse edhe qeveritë tjera kanë qenë në detyrë. Në 2017 buxhetin e kemi marrë pas dy ditësh. Nuk ka asnjë arsye që të mos merret vendimi për buxhetin sepse është Qeveri në detyrë. S’ka asnjë hezitim që mjete ka”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)