Kush është 38-vjeçari që do vriste nënën me silenciator. Në polici ajo tha se i biri…

  • 27 August 2019 - 14:25
Kush është 38-vjeçari që do vriste nënën me silenciator. Në polici ajo tha se i biri…

Një krim i rëndë në familje u arrit të parandalohej mbrëmjen e së dielës, në fshatin Dushk të Lushnjës.

Një 38-vjeçar, pas një konflikti për motive banale me nënën e tij, ka nxjerrë armën, me të cilën edhe mund të kishte qëlluar në drejtim të saj, në rast se Policia nuk do të kishte ndërhyrë në kohë.

Shërbimet e Komisariatit të Lushnjës ishin sinjalizuar për ngjarjen nga banorët e zonës, të cilët kishin dëgjuar sherrin me tone të ashpra që po ndodhte në familje. Ata i kanë telefonuar menjëherë Policisë dhe shërbimet kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.

Burimet thanë se është arrestuar në flagrancë Edmond Kadiu, 38 vjeç, i cili kishte qenë për shumë vite emigrant dhe sapo ishte kthyer në Shqipëri. Ndërsa gjatë kontrollit të kryer në banesë, Policia ka gjetur një pistoletë me silenciator dhe 43 fishekë.

Burimet thanë se i arrestuari dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor. Të paktën kështu ka deklaruar nëna e tij, gjatë dëshmisë që ka dhënë për Policinë, por edhe disa banorë të fshatit. Megjithatë pritet një akt ekspertimi mjeko-ligjor, për të përcaktuar nëse i dyshuari ka probleme mendore apo jo.

ARRESTIMI

Policia e Shtetit njoftoi dje se falë reagimit në kohë të forcave të Policisë së Lushnjës, është bërë i mundur parandalimi i një krim brenda familjes. 

“Arrestohet në flagrancë 38-vjeçari, pasi dyshohej se do të kryente krim të rëndë në familje, pas konfliktit me nënën e tij. Sekuestrohet një armë zjarri, pistoletë me silenciator dhe 43 fishekë”, tha dje zyrtarisht Policia. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin Edmond Kadiu, 38 vjeç, banues në Dushk të Lushnjës.

Policia e Lushnjës ka marrë njoftim në rrugë operative se ky shtetas po konfliktohej me nënën e tij, në banesën e tyre, në fshatin Dushk. Policia ka vlerësuar menjëherë informacionin dhe falë reagimit në kohë, u bë e mundur kapja e tij në flagrancë dhe gjetja në trup e një arme zjarri pistoletë me silenciator.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 43 fishekë luftarakë. “Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë për veprat penale ‘Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municionit luftarak’ dhe ‘Dhunë në familje'”, tha dje zyrtarisht Policia e Shtetit.

(Kosova Sot Online)