Historia e trishtë nga Peja: Sportisten 12-vjeçare e mbyti vetura, flasin familjarët

  • 27 August 2019 - 15:25
Historia e trishtë nga Peja: Sportisten 12-vjeçare e mbyti vetura, flasin familjarët

Nga pakujdesia e shoferit të një veture dyshohet se mbeti e vdekur në vend të ngjarjes Albiana Berisha, 12-vjeçare, nga Peja, që në momentin ku ndodhi rasti ishte duke vozitur një biçikletë. Vajza u dërgua në spital pa shenja jete, derisa policinë e lajmëroi vetë shkaktari i aksidentit, pasi u largua nga vendi i ngjarjes. Atij i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Në një rrëfim familjarët e vajzës tregojnë se Albiana e kishte pasion sportin.

Kishte dalë siç do ditë që së bashku me shokët të shëtitej me biçikletë. Kjo e shumë aktivitete të tjera, ishin veç disa prej hobive që kishte Albiana Berisha, 12-vjeçare, nga fshati Kryshec i Komunës së Pejës.

E hëna doli të jetë tragjike për të, pasi që rrugës së këtij fshati u godit nga një veturë, për të vdekur kështu në vend të ngjarjes.

12-vjeçarja nuk mundi t’iu mbijetojë plagëve të marra, derisa në spital u dërgua nga personat që kishin parë ngjarjen.

Në një rrëfim për Express, Ardit Gërvalla, familjar i të ndjerës ka thënë se sipas informacioneve që kanë deri më tani, vetura ishte në shpejtësi të madhe në momentin kur ndodhi tragjedia.

“Aksidenti nuk ka ndodhë afër shpisë, vajza ka qenë me biçikletë, kanë dalë së bashku me disa bashkëmoshatarë dhe vetura në tejkalim në shpejtësi goxha të madhe në shpejtësi mbi 120 e ka goditë dhe e ka lënë pa shenja jete”, shton ai, derisa tutje tregon se kishte pasur lëndime të mëdha.

“Ka pas lëndime të mëdha, në kokë, në dorë, në këmbë. Ka qenë me një bashkëmoshatar, kanë qenë me dy biçikleta. Policia është njoftu pak më vonë, aty kanë qenë disa kalimtarë rasti me vetura e kanë dërguar në spital, policia ka dalë pas një ore në vend të ngjarjes”, thotë ai tutje.

I njëjti thotë se e njeh personin që po voziste veturën në momentin kur ndodhi rasti, e që shprehet se si familje sot do ta zgjasin dorën e pajtimit. Megjithatë, këta do t’i shkojnë deri në fund procedurave gjyqësore.

“Po e njohim, familjarët e tij nuk na kanë vizitu ende, por, na kanë dërgu hoxhën e fshatit dhe disa përfaqësues, si familje besoj sot në varrim do ta falim rastin, mirëpo, me procedurë gjyqësore natyrisht se vazhdon. Pakujdesi ka qenë në nivel të lartë sepse ka qenë tejkalim, aty është e ndaluar me tejkalu, pakujdesia ka qenë e madhe, normalisht nuk ka qenë e qëllimshme”, shton ai.

Ardit Gërvalla e kujton familjaren e tij në një mënyrë mjaft prekëse. 

“U kanë atlete e lindur në të gjitha garat ka shku dhe i ka fitu, në vrapim, si pasion e ka pasë edhe bicikletën, ka dalë kohë pas kohe Albiana prej neve ka qenë, shumë çikë familja që e ka dashtë shumë ka qenë sportiste e lindur, kemi besu që ka me arrite nesër pasnesër, se kemi pa çfarë potenciali ka për neve është humbje shume e madhe po ky paska qenë fati me pësu”, thotë ai.

12-vjeçares Albiana Berisha i jepet lamtumira e fundit sot në orën 17:00, në varrezat e fshatit Kryshec në lagjën Gërvalla. Ajo ka lënë prapa, prindërit, dy motra dhe vëllain.

Prokuroria e policia

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se informacionin e kanë marrë dje rreth orës 18:53 minuta, derisa, sipas tyre, në fshatin Kryshec të Pejës, një person u aksidentua nga një automjet.

Sipas policisë, i dyshuari fillimisht është larguar nga vendi i ngjarjes, derisa, pastaj ka informuar policinë për rastin, për t’u shoqëruar pastaj në stacionin policor në Pejë.

Ai u intervistua për veprën e shkaktuar ‘Aksident trafiku me fatalitet”, me ç ‘rast personit të dyshuar me urdhër te prokurorit ju ka caktuar masa e ndalimit policor për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme.

Në anën tjetër nga Prokuroria e Pejës, kanë bërë të ditur se personit që shkaktoi aksidentit iu është caktuar masa e ndalimit për 48-orë.

“Mbrëmë rreth orës 19:00, në fshatin Kryshec të Pejës, si pasoj e një aksidentit fatal, nga lëndimet e marra ka humbur jetën një e mitur e moshës 12 vjeçare . E njëjta është dërguar pa shenja jete në Emergjencën e Spitalin të Pejës. Lidhur me ketë rast, me aktvendim të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë ngasësi i automjetit. Prokuroria Themelore e Pejës, brenda afatit ligjor do ndërmarrë të gjitha veprimet e mëtutjeshme rreth kësaj çështje penale”, ka bërë të ditur zëdhënësi i prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.

(Kosova Sot Online)