Kryeqyteti më i ndotur i Europës

  • 27 August 2019 - 20:14
Kryeqyteti më i ndotur i Europës

Kryeqyteti i Shqipërisë vijon të jetë një ndër vendet më të ndotura të Europës. Indeksi i ndotjes, i cili përllogaritet nga Numbeo, portali më i madh i të dhënave mbi cilësinë e jetës, tregoi se ndotja në Tiranë është më e lartë në 6-mujorin e 2019-s, duke shënuar 83.72 pikë, nga 82.8 që përllogaritej në fillim të këtij viti.

Numbeo vlerëson se për 6-mujorin e këtij viti, Tirana është kryeqyteti më i ndotur i Europës dhe i treti si qytet, pasi në vend të parë renditet qyteti i Tetovës në Maqedoni dhe Chelyabinsk në Rusi.

Përkeqësimi i nivelit të ndotjes në Tiranë sjell edhe uljen e cilësisë së jetës për ata që jetojnë në kryeqytet apo që po mendojnë të shpërngulen në Tiranë. Numbeo shërben si baza më e madhe e të dhënave mbi kostot dhe cilësinë e jetës për të huajt që kërkojnë informacion për vendet ku do të udhëtojnë apo do të shpërngulen, raporton monitor.

Pas Tiranës, kryeqyteti i dytë më i ndotur i Europës është Shkupi. Sipas të dhënave të publikuara nga Numbeo, indeksi i ndotjes në Shkup shënoi 82.6. Por, ndryshe nga Tirana, indeksi i ndotjes në Shkup nuk ka pësuar ndryshime gjatë pjesës së parë të viti.

Sipas renditjes që ka realizuar Numbeo, nga qytetet më të ndotura tek ato më pak të ndotura, tek ato më të ndoturat mbizotërojnë qytetet e Europës Lindore dhe Juglindore, kryesisht në Rusi, Maqedoni, Bosnjë dhe Ukrainë.

Ndër qytetet më të ndotura të vendeve që janë anëtare të Bashkimit Europian renditet Napoli, i cili është në vend të gjashtë, ndërsa Bukureshti i Rumanisë renditet në vendin e 9.

Qyteti më pak i ndotur i Europës, sipas vlerësimit të Numbeos është Helsinki, kryeqyteti i Finlandës, i cili ka shënuar për 6-mujorin e 2019-s vetëm 12.4 pikë në indeksin e ndotjes.

Qytete të tjera pak të ndotura ndër të tjera janë Reikjaviku, kryeqyteti i Islandës, Zyrihu në Zvicër, Stokholmi, Malmo dhe Gothenburg në Suedi, Vjena në Austri dhe Kopenhagën në Danimarkë, të cilët kanë shënuar më pak se 20 pikë në indeksin e ndotjes.

Në total, janë marrë në shqyrtim 82 qytete të kontinentit Europian.

Indeksi i ndotjes nga Numbeo është një përllogaritje e ndotjes së përgjithshme të një qyteti. Pesha më e madhe i është dhënë ndotjes së ajrit dhe më pas peshës së ndotjes së ujit, dy ndër faktorët kryesorë të ndotjes. Një peshë më të ulët kanë llojet e tjera të ndotjes.


(Kosova Sot Online)