“SHBA dhe Trump asnjëherë nuk do të kërkojnë diçka që dëmton pavarësinë e Kosovës”

  • 28 gusht 2019 - 09:54
“SHBA dhe Trump asnjëherë nuk do të kërkojnë diçka që dëmton pavarësinë e Kosovës”

Ish-këshilltari i presidentit aktual të Kosovës dhe avokati Azem Vllasi ka komentuar vizitën e presidentit serb, Aleksander Vuçiq në SHBA dhe takimet e tij me sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pompeo.

Për mediat boshnjake, Vllasi ka thënë se Vuçiq ishte në Uashington për të dëgjuar edhe njëherë faktin e pamohueshëm se Kosova është shtet i pavarur.

Sipas tij, asnjë administratë në SHBA, madje as ajo e Trump nuk do të kërkonin nga Kosova t’i jepnin Serbisë diçka që do ta dëmtonte pavarësinë e shtetit.

“Vuçiq shkoi në Uashington të dëgjojë edhe njëherë nga publiku serb se Kosova si shtet i pavarur është një fakt i pamohueshëm dhe se marrëveshja finale nënkupton njohjen e Kosovës nga Serbia. Asnjë administratë në SHBA, madje as ajo e Trump nuk do të kërkonin prej Kosovës diçka që do ta dëmtonte pavarësinë e Kosovës, në kufijtë dhe territorin aktual. Amerikanët pajtohen se njohja reciproke duhet të vije”, thotë Vllasi.

Sipas Vllasit, Kosova nuk është arsyeja e vetme e kthimit të amerikanëve në Ballkan.

Ai thotë se SHBA-të u kthyen në regjion edhe për arsye strategjike.

“Amerikanët u kthyen në Ballkan për arsye strategjike, jo vetëm për normalizimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë. Para se të gjithash, mos të lejojnë që Rusia të mbështetet tek Serbia, dhe të shkatërrojnë gjithçka që amerikanët kanë investuar për paqen dhe stabilitetin në rajon”, ka thënë ai.

Ndryshe, para pak ditësh presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq ishte për vizitë në SHBA, ku u takua me sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pompeo.

Nga Amerika, Vuçiq solli mesazhet se dimri do të jetë i vështirë në raport me arritjen e marrëveshjes finale mes Kosovës e Serbisë.

(Kosova Sot Online)