Vjosa Osmanit i vjen mbështetja e madhe nga Gjermania, ja çka thotë njeriu i partisë së Merkelit

  • 28 August 2019 - 14:08
Vjosa Osmanit i vjen mbështetja e madhe nga Gjermania, ja çka thotë njeriu i partisë së Merkelit

Nikolas Lobel, anëtari i CDU-së së kancelares Angela Merkel dhe anëtar i Bungestagut gjerman, ka reaguar pasi Lidhja Demokratike e Kosovës e ka caktuar Vjosa Osmanin si mandatare për kryeministre në zgjedhjet që do të mbahen më 6 tetor të këtij viti.

Lobel kandidimin e Osmanit e sheh si një mundësi që Kosovës t’i jepet një vizion dhe energji e re për të ecur përpara.

“Unë besoj fuqishëm që politikanët e ri dhe të besueshëm mund t’i injektojnë Kosovës energji dhe vizion të ri” ka shkruar Lobel.

Ndër të tjera ai ka thënë se Vjosa Osmani është gruaja e parë në historinë e Republikës së Kosovës që po garon për postin e kryeministres. 

“Deputetja Vjosa Osmani është gruaja e parë në historinë e Kosovës që po garon për kryeministre. Osmani vjen nga LDK’ja, parti simotër e CDU-së dhe anëtare e familjes së Partive Popullore të Evropës”, ka shkruar ndër të tjera Lobel në llogarinë e tij në twitter.

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka mandatuar Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre në mbledhjen e fundit të Kryesisë së mbajtur të hënën.

Përveç mbështetjes unanime të Kryesisë, Osmani ka marrë të martën edhe përkrahjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së.

Aktualisht janë duke u zhvilluar negociata ndërmjet LDK’së dhe Lëvizjes Vetëvendosje për një koalicion të mundshëm parazgjedhor. Megjithatë LDK’ja insiston në postin e kryeministrit dhe thonë se janë të prirur që të shkojnë të vetëm në zgjedhje.

(Kosova Sot Online)