Guvernatorët brazilianë kërkojnë nga presidenti që ta pranojë ndihmën për zjarret

  • 28 August 2019 - 14:39
Guvernatorët brazilianë kërkojnë nga presidenti që ta pranojë ndihmën për zjarret

Guvernatorët e nëntë rajoneve braziliane, të cilat janë prekur më së shumti nga numri i madh i zjarreve në pyje, kanë kërkuar nga presidenti i tyre, Jair Bolsonaro, që ta pranojë ndihmën ndërkombëtare për t’i luftuar zjarret.

Bolsonaro ditë më parë e refuzoi ndihmën financiare prej 22 milionë dollarësh nga shtetet e grupit G7 për shkak të një mosmarrëveshjeje me presidentin francez, Emmanuel Macron.

Sidoqoftë, pas takimit mes guvernatorëve dhe presidentit, qeveria e ndryshoi pozicionin e saj për ndihmat. Zyrtarët qeveritarë thanë se do t’i pranonin këto ndihma, nëse qeveria e kontrollon mënyrën e shpenzimit të tyre. 

Një numër rekord i zjarreve janë përhapur në rajonin malor të Amazonës në Brazil. Ky vend ka rëndësi të madhe për shkak të thithjes së dyoksidit të karbonit dhe ngadalësimit të ngrohjes globale.

Pas rritjes së shqetësimit në komunitetin ndërkombëtar, liderët e shtatë shteteve të zhvilluara u zotuan se do t’i dhurojnë 22 milionë dollarë për t’i luftuar zjarret në Brazil.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili e udhëhoqi samitin e G7-ës, tha se fondet do të dhurohen menjëherë për të dërguar më shumë aeroplanë me ujë në zonat ku ka zjarre aktive.

Pasi fillimisht e kishte refuzuar këtë ndihmë, presidenti brazilian e zbuti qëndrimin të martën duke thënë se do ta shqyrtojë pranimin e të hollave, nëse presidenti francez i kërkon falje për fyerjen që ia bëri kur e quajti gënjeshtar, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)