Çfarë po ndodhë me Gjykatën Speciale? Flet politologu i njohur

  • 28 August 2019 - 14:49
Çfarë po ndodhë me Gjykatën Speciale? Flet politologu i njohur

Sipas politologut, Ramush Tahiri, zgjedhjet e 6 tetorit nuk do të kenë asnjë ndikimin në punën e Speciales

Ishte paralajmëruar verë e nxehtë nga Gjykata Speciale lidhur me aktakuzat dhe arrestime e mundshme, por një gjë e tillë nuk ndodhi, edhe pse shumë persona u intervistuan.

E tani kur Kosova do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, janë ngritur edhe më shumë pikëpyetje sa i përket ngritjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale.

Se a po ndikojnë dhe a do të ndikojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë në shtyrjen e aktakuzave nga kjo gjykatë, për "Kosova Sot Online" foli politologu, Ramush Tahiri.

Image
Ramush Tahiri

Ai tha se Gjykata Speciale si sistem gjyqësor është krejtësisht e pavarur dhe e pandikueshme nga politika, sidomos ajo e Kosovës që ka ndikim minor në proceset ndërkombëtare.

“Gjykata si Dhomë e posaçme u votua atëbotë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe është pjesë e sistemit të Kosovës, por që punon jashtë vendi me një marrëveshje ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Holandës”, tha Tahiri për “Kosova Sot Online”.

Tutje, Tahiri ka thënë se të gjithë po mendojnë që kjo gjykatë ka vonesa shumë të paarsyeshme në punën e saj, për faktin se edhe pse kaluan disa vite ende nuk arriti të përgatitë dhe të ngritë asnjë aktakuzë.

“Kjo fletë se edhe proceset eventuale do të zgjatin me vite , gjë që fletë për defektin e saj vetërregullues e kontrollues e mbikëqyrës. Askush nga qytetarët e Kosovës nuk është i amnestuar nga ndjekja penale për veprat që pretendohet se i ka kryer pa marr parasysh funksionin e tashëm. Përgjegjësia është individuale e nuk besoj se ka ndikim në politikë e shoqëri për aq sa është ndikimi i tyre vetanak në procese", theksoi ai.

Sipas tij, listat në KQZ e kanë zëvendësimin nëse dikush kandidon ose zgjidhet dhe për një arsye nuk mund ta ushtrojë detyrën.

Ndryshe, Gjykata Speciale filloi në dhjetor të 2010-tës pas raportit të Dick Marty-t. Pas miratimit të raportit, EULEX krijoi një Forcë Speciale për hetime. Marrëveshja u kthye në ligj pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2015, e cila ka hapur rrugën për të krijuar Zyrën e Prokurorit Specializuar.

U krijuan dy institucione të ndara dhe të pavarura, Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara, këto dy institucione kanë mandat pesë vjeçar dhe janë me seli në Hagë.

(Kosova Sot Online)